Shoferja në Korçë humb kontrollin dhe përplaset me makinën e parkuar, dy mjetet shpërthejnë në flakë

Dy makina kanë shpërthyer në flakë mbrëmjen e djeshme në Korçë si pasojë e një aksidenti.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:25, në lagjen nr. 4, Korçë.

Policia bën me dije se shtetasja me inicialet M. Ç., duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe është përplasur me automjetin kantinë tip “Benz”, të parkuar në rrugë.

Si pasojë e përplasjes, të dyja automjetet kanë marrë zjarr. Shërbimet e zjarrfikëses në vendngjarje, bënë të mundur shuarjen e zjarrit. Drejtuesja e automjetit shtetasja M. Ç., u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit./Albeu.com


Shtuar 13.08.2023 07:47