Një muaj paraburgim për serbin që dyshohet për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për të pandehurin S.T. – pjesëtar i komunitetit serb – i cili dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

Policia e Kosovës ka thënë se e ka arrestuar këtë person më 15 dhjetor.

Në kërkesën e Prokurorisë Speciale për masën e paraburgimit është thënë se S.T dyshohet se ka marrë pjesë në vepra që lidhen me keqtrajtim, maltretim, plaçkitje, vrasje të civilëve dhe shpërngulje me dhunë të banorëve të Vushtrrisë më 1999.

Më 16 dhjetor, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se i arrestuari është ish-polici serb, Sllagjan Trajkoviq.

“Si po shfaqen papritmas provat kundër serbëve, sapo u larguan nga institucionet, e që nuk ekzistonin derisa ishin pjesë e institucioneve të Kosovës”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.

Që nga fillimi i muajit nëntor, pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës në katër komunat e banuara me shumicë serbe, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj./rel


Shtuar 17.12.2022 16:23