“Një dritë kishte, as televizor, as frigorifer”, flasin të tronditur fqinjët e 48-vjeçarit që i dha fund jetës nga skamja

Në fshatin Rrajcë në Prrenjas, 48-vjeçari Fatos Çollaku, u gjet nga bashkëfshatarët i vetëvarur në pemë, për shkak të varfërisë.

Mësohet se Çollaku jetonte bashkë me motrën në një banesë të rrënuar, të zhytur nga mjerimi dhe varfëria, ku nuk plotësoheshin as kushtet minimale të jetesës.

Vetë banorët e fshatit, tregojnë për Neës 24, se familjes së Fatosit, vazhdimisht i është prerë energjia elektrike, për shkak të pamundësisë për ta paguar.

Por OSHEE në një reagim pas ngjarjes, deklaroi se në asnjë moment kësaj familjeje nuk i është ndërprerë energjia elektrike. Sipas këtij institucioni lajmet e përhapura ishin jo të vërteta, dhe se kjo ngjarja po përdorej politikisht.

Por bashkëfshatarët e Fatos Çollakut, thonë se përveç prerjes së dritave, të cilat ata tregojnë se ia kanë lidhur vetë pas ngjarjes, kësaj familjeje i është ndërprerë edhe uji i pijshëm.

Sipas tyre edhe frigoriferi që ka kjo familjeje, nuk është në gjendje pune.

“Ai një dritë kishte, as lavatriçe, as frigorifer… Një natë para ngjarjes, nuk kishte drita! Kur i prenë ujin para dy javësh, u mërzit shumë”, rrëfejë banorët të pikëlluar.