DETAJE/ Të maskuar dhe me armë grabitën para dhe sende me vlerë, autorët u larguan me fouristradën e të moshuarit nga Vermoshi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatë në Vermosh, ku një cift të moshuarish kanë rënë pre e një grabitjeje nga autorë ende të paidentifikuar.

Të maskuar me armë ata kanë hyrë në banesën e Tom Tinaj, i njohur nga banorët e zonës si Tom Nishi duke grabitur një sasi parash dhe disa sende me vlerë.

Ata janë larguar duke grabitur edhe mjetin tip Fuoristradë të Tom Tinaj, ndërsa gjatë arratisë ata kanë humbur kontrollin e automjetin në afërsi të fshatit Selce dhe janë përplasur me një mal.

Më pas ata kanë lënë fouristradën dhe kanë ecur gati një 1 kilometër në këmbë dhe në fshatin Selce kanë grabitur automjetin e shtetasit Juli Hysaj dhe janë larguar drejt zonës Grabom.

Aty kanë parë një automjet tjetër që po lëvizte në drejtim të tyre. Grabitësit kanë lënë mjetin dhe në të edhe levën me të cilin hynë në shtëpinë në Vermosh dhe një armë zjarri Kallashnikov.

Të favorizuar nga errësira dhe një zonë malore e cila është në kufi me Malin e Zi, dyshohet se grabitësit janë larguar drejt vendit fqinj.

Njoftimi i policisë:

Malësi e Madhe/Informacion paraprak

Rreth orës 02.20, në fshatin Vermosh, Malësi e Madhe, 2 persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur me dhunë në banesën e shtetasit T. T., disa sende me vlerë dhe një shumë parash. Më pas, këta shtetas kanë marrë automjetin tip “Volkswagen” që ka qënë i parkuar në oborrin e banesës së shtetasit T. T. dhe janë larguar.

Grupi hetimor vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj./albeu.com