Çmimi i energjisë, paralajmërohet shtrenjtimi i bukës dhe miellit në Kosovë

Çmimi i miellit dhe bukës, do të shtrenjtohet në rast se merret vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka paralajmëruar Shoqata e Mullisëve të Kosovës. Ata kanë kërkuar që të mos shtrenjtohet çmimi i rrymës për mullitë e bluarjes së grurit. Është thënë se çmimi i bukës do të arrijë deri në 1 euro.

Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka dërguar komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) lidhur me propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Nga kjo shoqatë kanë kërkuar që të mos shtrenjtohet energjia elektrike.

Në të kundërtën sipas tyre do të ketë shtrenjtim të çmimit të miellit dhe bukës.

“Në koston e prodhimit të miellit ndikim të madh ka energjia elektrike. Shoqata e Mullisëve të Kosovës kërkon që të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për fabrikat që merren me bluarjen e grurit dhe misrit nga se prodhojmë landën e parë themelore që ndikon në standardin e popullatës dhe nëse shtrenjtohen energjia elektrike për këtë degë industriale duhet të jeni të vetëdishëm se do të pasojë shtrenjtimi i lartë i miellit dhe i bukës si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike”.

Shoqata e Mullisëve thotë se për shkak të numrit të madh të furrave në Kosovë që rrjedhimisht ka sjellë konkurrencë të madhe, çmimi i bukës në Kosovë nuk është ngritur për dallim nga vendet e rajonit.

Duke folur për zhvillimet e fundit në lidhje me paralajmërimet për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, mullisët thonë se një rritje e çmimit të rrymës për ta do të kishte ndikim të madh në koston e prodhimit të miellit.

Rrjedhimisht ata paralajmërojnë rritje të çmimit të bukës nëse edhe fabrikat që merren me përpunimin e grurit preken nga rritja e energjisë elektrike.

Ditë më parë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk po vepron në mënyrë proaktive për të parandaluar rritjen e çmimeve.

Krasniqi tha se në rast të përshkallëzimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, vendi ynë do të përballet me kriza të reja, duke përfshirë edhe rritjen e çmimit të miellit.

Ai tha se çmimi i bukës në vendin tonë do të arrijë deri në 1 euro.

“Nëse vërtet përshkallëzohet konflikti Rusi-Ukrainë, situata le që do të përkeqësohet për energjinë, ne do të kemi situata të reja të përkeqësimit të situatës, po e marr një shembull, do të ngritët çmimi i miellit dhe si pasojë çmimi i bukës. Unë besoj deri në 1 euro ka me u bo buka në Kosovë nëse kjo situatë ndodh, qeveria duhet të blejë rezerva, por ata nuk merren me këtë punë, nuk ua pret mendja, kjo është temë që edhe në nivel të Bashkimit Evropian diskutohet”, tha Krasniqi.

Duke folur për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, Krasniqi tha se opozita nuk mund ta ndalë ZRrE-në, por në rast të rritjes do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Çmimi i rrymës është shumë problematik, opozita nuk mund ta ndalë ZRRE-në, ne kemi kërkuar edhe shkarkimin e tyre nëse vjen deri te kjo, por ne votat s’i kemi shkarkuar. E dyta, nëse ndodh vendimi, ne do ta atakojmë përmes gjykatave deri në momentin kur ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese, sepse instrumentet këto janë”.

Më 17 janar ZRrE ka publikuar një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për ata konsumatorë që nuk shpenzojnë më shumë se 600 kWh rrymë në muaj. Kësisoj, organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë thotë se mjetet e ndara nga Qeveria do ta shmangnin nevojën për rritjen e çmimit të rrymës për këtë kategori konsumatorësh.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 kWh për muaj)”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Propozimi i ZRRE-së: Tarifat e energjisë elektrike bazuar në subvencionin e premtuar të Qeverisë. Çmimi i rrymës rritet për ata që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

Çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të rriten edhe gjatë muajve të fundit në Kosovë.

Sipas Agjencisë së Statistikave norma vjetore e inflacionit në muajin e kaluar ka arritur në 5.7 për qind. Ngritjen e këtyre çmimeve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është rritur kryesisht te buka, mishi, qumështi dhe druve.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin tetor ka arritur në 5.7 për qind.

“Bukë dhe drithëra me 5.7 për qind, mish me 2.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 6.2 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 27.9 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 4.1 për qind, pije alkoolike me 4.5 për qind; duhan me 2.8 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 8.1 për qind, produkte farmaceutike me 2.3 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 35.5 për qind, shërbime për transport me 2.3 për qind dhe shërbime hoteliere me 2.7 për qind”, thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), tetor 2021”./Monitor

 


Shtuar 2.02.2022 11:23