Meta e quajti diktator, Rama kundër referendumit për heqjen e koalicioneve

Pas deklaratave të bëra nga presidenti Ilir Meta se ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pa një referendum publik, ka reaguar dhe vetë kryeministri Rama.

Sipas tij, në vendin tonë as po ndryshon sistemi, as koalicionet, ndërkohë që listat do të hapen me ligj, në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryeministri Rama në Twitter:

IM thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!

Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndirm! Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program,jo kosh karavidhesh pa din as iman!

Më herët Presidenti Meta në një konferencë për mediat konfirmoi qendrimin e tij pro listave të hapura, dhe kundër heqjes së koalicioneve, por që sipas tij nuk mund të bëhen në shkelje të Kushtetutës. Meta tha se ai është që çdo çështje që ka të bëjë me sistemin të vendoset vetë nga ana e qytetarëve, përmes referendumit.

Presidenti Meta me ironi tha se ai mbështeste qendrimet e dikurshme të Edi Ramës, që edhe ndryshimet e Kushtetutës në 2008 i quante të nxituara, edhe pse në Kuvend asokohe kishte 140 deputetë.


Shtuar 16.07.2020 12:25