“Qëndroni të palëkundur pranë nesh”, Osmani citon Ibrahim Rugovën në Parlamentin Europian: BE-ja destinacion i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur fjalimin e saj para deputetëve në Parlamentin Europian. Fjalimi i Osmanit në parlementin Europian vjen në një kohë kur Kosova rrezikon të sanksionohet nga BE-ja për shkak të menaxhimit të situatës në veri të vendit.

Presidentja ka nisur fjalimin me fjalët e Ibrahim Rugovës: “liri, pavarësi, demokraci”. Osmani u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të qendrojnë të palëkundur pranë Kosovës.

“Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka thënë Osmani para eurodeputetëve në adresimin e saj.

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, ka thënë Osmani.

Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Por, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

Megjithatë, BE-ja ka thënë se kryeministri kosovar nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet ushtarake Defender Europe 23, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mosplotësimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

/albeu.com/


Shtuar 14.06.2023 12:05