Kishte përshtatur lokalin për përdorimin e drogave, në pranga pronari, furnizuesi dhe kamerieri

Policia ka zhvilluar një aksion “blic”në Fier dhe ka zbuluar një lokal që ishte përshtatur për përdorimin e lëndëve narkotike. Në pranga ka rënë pronar i lokalit, një furnizues dhe kamerieri.

Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan doza me kokainë, 18.380 euro, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Më pas kontrolli është zhvendosur në banesë, ku policia  gjeti dhe sekuestroi 6.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë kontrollet blic dhe operacionet poliore në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Fier, Komisariati i Policisë Fier dhe FNSH Tiranë, operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”.

Kishte përshtatur lokalin për përdorimin e drogave, vihet në pranga gjatë operacionit, pronari i lokalit. Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan doza me kokainë, 18.380 euro, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.

Në pranga edhe një shtetas që u gjet në lokal, i cili dyshohet se furnizonte pronarin e lokalit, me lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 6.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Gjithashtu, në pranga është vënë edhe kamarieri i lokalit, për moskallëzim krimi.

Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal ushtrohej veprimtaria e shitjes së lëndëve narkotike në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe FNSH Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bashkëpunimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-E. Gj., 46 vjeç, banues në Dërmënas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”;

-L. G., 30 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

-D. Ll., 28 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pojan, në lokalin në pronësi të shtetasit E. Gj., në të cilin ndodheshin edhe shtetasit L. G. (i dyshuar se furnizonte me lëndë narkotike pronarin e lokalit) dhe D. Ll. (i punësuar si kamarier), u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike dhe kanabis, 1 armë gjahu me një sasi fishekësh dhe 18.380 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit L. G., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtraie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 8.10.2022 16:49