“Vendoret”, Celibashi miraton rezultatin në bashkitë Tiranë dhe Durrës, Sako dhe Veliaj zyrtarisht fitues

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi miratoi tabelat përmbledhëse zgjedhore për dy nga bashkitë e vendit e vendit Tiranë dhe Durrës.

Kështu, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se Erion Veliaj është zyrtarisht kandidati fitues për Bashkinë e Tiranës, duke treguar edhe votat e vlefshme që ka marrë secili nga kandidatët në garë.

“Miratojmë rezultatin e votimit për kryetar të bashkisë së Tiranës me të dhënat vijuese. Fletë votimi të gjetura në kuti 302 695, vota të pavlefshme 11 939, fletë votimi gabim 339.

Vota të vlefshme janë 290 446 të ndara sipas kandidatëve, Arlind Qori 13851 vota, Marko Dajti 2809. Lajla Përnaska 2107, kandidati fitues 158 856,për zotin Belind Këlliçi 100 425 dhe nga zoti Roland Bejko, 12 398 vota. Miratojmë edhe tabelën përmbledhëse për votim për anëtarë të këshillit”, tha ai.

Celibashi certifikoi edhe Emirjana Sakon si kandidate fituese për Bashkinë e Durrësit, përballë kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara.

Kujtojmë se më 14 maj, shqiptarët zgjodhën kryebashkiakët e rinj të vendit. Partia Socialiste arriti të fitonte 53 bashki, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” vetëm 7./Albeu.com/


Shtuar 21.05.2023 13:00