SHBA-të dhe Europa dërgojnë tanket, beteja e madhe po vjen: Ku pritet të godasin ushtritë në Ukrainë

Nga Michelangelo Freyrie “Linkiesta

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur dhe ku do të ndodhë ofensiva e re e ushtrisë në Ukrainë? Kjo pyetje është me shumë vend në këto momente, dhe po mban të angazhuar si shërbimet inteligjente të vendeve të ndryshme të përfshira në një farë mënyre në këtë konflikt, ashtu edhe vëzhguesit e ndryshëm të konfliktit të shpërndarë midis mediave tradicionale dhe atyre sociale.

Ankthi i krijuar nga këto të fundit është veçanërisht i dëmshëm. Pas ndryshimeve spektakolare në front në vitin e parë të luftës, shumëkush është mësuar tashmë me një alternim të vazhdueshëm të sulmeve dhe kundërsulmeve, një pritshmëri që në fakt nuk ka pasur me situatën në terren.

Madje ka nga ata që kanë hipotetizuar një sulm të madh nga Bjellorusia për të ndërprerë linjat logjistike dhe të komunikimit midis Polonisë dhe Ukrainës, apo një sulm të ri pak më në lindje për të tentuar sërish pushtimin e Kievit.

Këto opsione paraqesin vështirësi të mëdha, edhe për shkak të pranisë së kënetave të Pripyatit përgjatë një pjese të mirë të kufirit, duke i ndërlikuar kështu operacionet dhe duke i bërë shumë të parashikueshme rrugët që forcat ruse duhet të ndjekin.

Edhe nga pikëpamja strategjike, rihapja e frontit verior do të paraqiste edhe një herë një mori problemesh të cilat komanda ruse i kishte hasur që në javët e para të luftës. Me gjithë mobilizimin e pjesshëm, kjo lëvizje do të sillte sërish një zgjatje të madhe të frontit, që do të ishte i pamundur të mbrohej në mënyrë homogjene dhe për pasojë do ta reduktonte në minimum mundësinë e përqendrimit të njësive të mjaftueshme për të nisur ofensivën e synuar.

Por pse pritet një ofensivë e re e Rusisë? Zërat e vazhdueshëm për një kërcënim që vjen nga veriu janë ende pjesë e planit strategjik të Moskës. Propaganda e Kremlinit ka theksuar vazhdimisht praninë e njësive të reja ruse në Bjellorusi, duke ngritur hijen e një sulmi të ri, i cili sado që nuk ka shumë gjasa të ndodhë vërtet, nuk mund të injorohet nga ushtria ukrainase.

Edhe pse shumica e njësive të stërvitura nga Rusia në vend, janë transferuar në frontin e Donbasit, ukrainasit e panë ende të nevojshme të përforconin kufijtë veriorë në sektorin e Kherson me brigadën e 47-të të sulmit, si dhe të krijonin mbrojtje fikse për mbrojtjen e njësive kufitare.

Nëse pjesa më e madhe e vëmendjes aktuale do të përqendrohet në betejat e përgjakshme për kontrollin e Soledar dhe Bakhmut, si analistët ukrainas ashtu edhe ata perëndimorë supozojnë se këtë vit do të shohim një ofensivë në shkallë të gjerë.

Aktivitetet ushtarake të kryera gjatë muajve të dimrit (pavarësisht kushteve atmosferike të  favorshme në pjesë të ndryshme të vendit) synuan konsolidimin e pozicioneve dhe në të njëjtën kohë lodhjen e trupave kundërshtare në funksion të sulmeve të pranverës dhe verës.

Për Rusinë, kjo nënkupton shkaktimin e sa më shumë humbjeve në radhët e forcave ukrainase (në sektorin e Bakhmutit) dhe konsumimin e mbrojtjes ajrore në pjesën e pasme të vijës së parë të frontit. Ndërkohë për Ukrainën, prioritet ishte ruajtja e presionit mbi trupat ruse (në Lysychansk) dhe parandalimi i integrimit të madh të rekrutëve të rinj në frontin e betejës.

Ndërkohë, qëllimi tjetër i Kievit është të vazhdojë eliminimin e transportuesve të blinduar  dhe sistemeve të tjera, të cilat Moska e ka shumë të vështirë t’i zëvendësojë. Është e qartë se kjo qasje është funksionale në aspektin e krijimin e mundësive për një qasje më të lëvizshme ndaj konfliktit.

Herët a vonë, njëra nga të dy palët do të bindet se dëmi i shkaktuar ndaj kundërshtarit do të jetë i mjaftueshëm për të guxuar nisjen e një sulmi të madh, më kompleks, për të tentuar depërtimin drejt objektivave që konsiderohen si strategjike. Se kur dhe ku do të ndodhë kjo mbetet një pyetje e hapur.

Por tundimi mund të jetë veçanërisht i madh për shtabin e përgjithshëm rus, që është ndoshta nën presionin e Vladimir Putin, që synon të jetë në gjendje t’ia shesë politikisht opinionit publik një ofensivë të madhe apo një fitore më spektakolare.

Është e qartë se nuk është e mundur të parashikohet me siguri se kurë dhe ku do të zhvillohet ofensiva e radhës, sidomos për ata që nuk kanë qasje tek burimet e inteligjencës që arrijnë të shohin përtej mjegullnajës së luftës.

Për të vlerësuar se ku dhe kurë mund të ndodhë një sulm i tillë, një analizë e inteligjencës profesionale do të analizonte një sërë treguesish, si grumbullimi i trupave të reja, prania e trupave të blinduara, përqindja e forcave të përbëra nga trupa të rregullta dhe me cilësi më të dobëta (si mercenarët e Wagner), nivelin e lodhjes së trupave ukrainase apo sasinë e municioneve, dhe veçanërisht artilerisë, të grumbulluar nga rusët.

Shumë nga këto të dhëna do të nxirreshin dhe do të kontekstualizoheshin në një kuadër më të përgjithshëm. Për shembull ne e dimë që aktualisht rusët po i kursejnë predhat e artilerisë në krahasim me kulmin prej 40 mijë të tilla të konsumuara në një ditë gjatë verës së vitit të kaluar.

Nuk është e qartë nëse kjo është për shkak të mungesës së rezervave apo vështirësive logjistike, por rekordet e arritura disa muaj më parë tregojnë se komanda ruse ka arritur të zgjidhë problemet e furnizimit që kishte javët e para të luftës.

Në këtë kontekst, sektorët ku ka pasur më pak përdorim të artilerisë në javët e fundit mund të tregojnë synimin për të kursyer në përgatitje për një përdorim masiv në një ofensivë (siç po ndodh në veri të Lysychansk dhe në Zaporizhzhia).

Një faktor tjetër global që duhet marrë parasysh është vështirësia e fabrikave ruse në mbështetjen e shkallës aktuale të konsumit të automjeteve të blinduara dhe mbi të gjitha të raketave lundruese. Sipas shërbimit sekret ukrainas, rusët po tregojnë dukshëm mungesën e rezervave në municione.

Ky do të ishte një element i mëtejshëm kundër skenarit të një ofensive të re ruse që do të niste Bjellorusia, e cila do të kërkonte shumë më tepër sulme në thellësi, pra në pjesën e pasme të frontit ukrainas, dhe do të zvogëlonte mungesën relative të artilerisë në atë sektor.

Së fundi, nga pala ruse duhet marrë parasysh një element politik shumë i rëndësishëm. Nuk është ende e sigurt se sa vetë Putin beson ende në nënshtrimin e plotë të Ukrainës, ndonëse prioriteti i menjëhershëm duket se është pushtimi i rajoneve të aneksuara.

Por edhe brenda kësaj panorame më të kufizuar ka shumë konfuzion: një zinxhir komandues i zhdukur dhe shpeshherë i ndryshuar, i karakterizuar nga konflikte të brendshme dhe me praninë e fortë të Yevgeny Prigozhin dhe Wagner, e bën të vështirë dallimin e prioriteteve operacionale të rusëve.

Një shembull është sulmi ndaj Bakhmut dhe Soledar. Në rrafshin ushtarak nuk është pa logjikë, por ka rezultuar të jetë shumë i kushtueshëm për të justifikuar kokëfortësinë e agresorëve.

Ka të ngjarë që këmbëngulja ruse të jetë shkaktuar mbi të gjitha nga dëshira e Prigozhin për të treguar dobinë e mercenarëve të tij në terren, si dhe nga një logjikë tipike e strategjisë ruse: një pozicion sulmohet sepse konsiderohet politikisht i rëndësishëm dhe i jepet rëndësi për shkak të një investimi të madh në mjete dhe njerëz për ta pushtuar atë.

Për këto arsye, është shumë e vështirë të parashikohet se ku mund të zhvillohen operacionet e ardhshme në shkallë të gjerë. Ndërsa është e lehtë të përjashtohet fronti bjellorus, ka shumë opsione të besueshme, të cilat nuk mund të përjashtohen bazuar vetëm tek informacioni që  disponohet në këtë moment.

Ndër zhvillimet e besueshme do të ishte një përpjekje e Rusisë për të shfrytëzuar lodhjen e Ukrainës në Lysychansk; një sulm ukrainas në rajonin e Zaporizhzhias, duke shfrytëzuar rezervat e veta lokale, shoqëruar me një presion të mëtejshëm në të gjithë rajonin e Dnipros.

Dhe së fundmi, mund të ketë manovra të ushtrisë ruse në jug për të parandaluar një ofensivë të re të Ukrainës. Problemi është se në fazën aktuale të konfliktit, pa pasur informacione të brendshme të besueshme, gjithçka që publikohet mbetet në kuadrin e spekulimeve. /albeu.com


Shtuar 23.01.2023 15:09