Policia në kaos, sistemet me të dhënat kryesore për kontigjentët kriminalë të bllokuara

Bllokimi i dy sistemeve të brendshme të Policisë së Shtetit, “ADAMS” dhe “MEMEX”, ku mbahen të dhënat kryesore për kontigjentët kriminalë, kanë penalizuar punën e hetuesve.

Në sistemin “ADAMS”, shkruhen në raport të gjitha ngarkesat penale të qytetarëve të arrestuar, ndaluar, apo ata që dyshohen se janë të implikuar në një një ngjarje.

Në këtë sistem, mbahen të dhënat e plota për çdo person që nga fillimi i marrjes së të dhënave, e deri tek dorëzimi dhe referimi i materialeve në Prokurori.

Ndërsa në sistemin “MEMEX” shënohet çdo e dhënë sekrete që ka një punonjës policie për çdo eksponent kriminal.

Ky sistem shërben edhe për marrjen dhe transmetimin e njoftimeve për ngjarjen kriminale të ndodhura, informacionet policore si dhe të dhënat për personat e implikuar në këto ngjarje apo informacionet që ata mbartin.

Nëse të dhënat që përmbajnë këto dy sisteme bëhen publike nga hakerat, puna e policisë minohet.

Dy sistemet më të rëndësishme të policisë vijojnë të jenë të bllokuara prej ditësh, që prej momentit kur hakerat e financuar nga Irani goditën sistemin TIMS në pikat kufitare./Abcnews.al/