“120 mijë eurot s’janë të miat”, nis verifikimi i pasurisë së xhaxhait të Alda Klosit

Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për pasurinë e xhaxhit të Alda Klosit, ish-zyrtares së kryeministrisë që ra pre e vjedhjes nga Rozeta Dobi.

Kjo e fundit së bashku me të birin Havierin, morën nga shtëpia e Klosit 120 mijë euro dhe ish-zyrtarja tha se ishin të xhaxhait të saj, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer.

Prokuroria do të marrë në pyetje xhaxhanë e Klosit dhe nëse ai do të pranojë se 120 mijë eurot janë të tijat pasuria e tij do të futet në sitë për të parë nëse e justifikon këtë shumë të madhe parash.

Nga ana tjetër, vijojnë hetimet për 400 mijë eurot e tjera që u gjetën në tubin e aspiratorit të shtëpisë së Rozeta Dobit, para të cilave ende nuk i ka dalë pronari.

Organi i akuzës ka nisur hetimet edhe për vetë zyrtaren. Sipas të dhënave të Kadastrës, Klosi rezulton pronare e disa apartamente, dy prej të cilëve në Shëngjin, në një kohë që vetë jetonte në shtëpi me qira.

Alda Klosi, rezulton se është pasuruar gjatë periudhës 2017-2022, kur ka ushtruar funksionet e drejtoreshës në Ministrinë e Financave si dhe të drejtores së kabinetit në Ministrinë për Rindërtimin dhe Programin për Reformat, ministri këto të drejtuara nga Arben Ahmetaj./Albeu.com/


Shtuar 18.01.2023 17:38