“Ruleta ruse” eleminon Egnatian nga Conference League

Zhgënjim i madh te Egnatia, teksa është eliminuar në turin e parë të Conference League. Sfida e parë kishte përfunduar 1-1, ndërsa sonte në “Elbasan Arena”, ekipi shqiptar barazoi 4-4 me Ararat-Armenia, por dështoi te penalltitë.

Vendasit zhbllokuan ndeshjen shumë shpejt, që në minutën e 3-të. Aleksi dërgoi një krosim fantastik për Fernandon, i cili u tregua i saktë me një goditje me kokë.

Miqtë nga Armenia nuk u dorëzuan dhe ia dolën të vendosnin ekuilibrat me Eza në minutën e 17-të. Redi Kasa “tundi rrjetën” në minutën e 36-të, duke rikthyer sërish epërsinë për skuadrën e Tetova.

Ararat-Armenia e nisi me mjaft dëshirë pjesën e dytë, me Adriano Castanheira që riktheu gjithçka nga fillimi, pas golit të 2-2.

Skuadrat shkuan në shtesa, ku as aty nuk munguan golat. Dëamena krijoi iluzionin e kualifikimit me golin e tij në minutën e 108-të, por festa zgjati pak pasi Tenne barazoi shifrat, ndërsa Bueno përmbysi llogaritë.

Spektakli nuk kishte përfunduar ende, pasi Dëamena në të 120-tën minutë “çmend” në festë tifozët me golin e shpresës. Gjithsesi, ekipi armen u tregua më i saktë nga pika e bardhë e peanlltive, pasi te Egnatia gabuan Zejnullai dhe Kacbufi.


Shtuar 20.07.2023 22:56