Ideja e Ramës për konferencë ndërkombëtare, Kurti: Kemi pasur në të kaluarën, tani kemi një marrëveshje bazike

Kryeministri Albin Kurti ka folur dje lidhur me idenë e paraqitur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë.

Ai është shprehur skeptik për mbajtjen e një konference të tillë. Kurti tha se në vend të kësaj, krejt çfarë duhet bërë është implementimi i marrëveshjes bazike në tërësi.

“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti, në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çka duhet bërë është që pa kushte të implementohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, tha Kurti para gazetarëve dje gjatë ditës në Prizren.

Ideja e Ramës për një konferencë të tillë është përkrahur nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, ka thënë Michel para nisjes së Samitit të BE’së derisa ka qenë i shoqëruar me Sekretarin e NATO’s Jens Stoltenberg.

“Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit” ka shtuar Michel.

Gjatë kësaj jave Rama e ka “dorëzuar” edhe formalisht propozimin e tij në Bruksel gjatë takimeve me zyrtarë të lartë atje, përfshirë Presidentin e KE’së Michel dhe Përfaqësuesin e Lartë Josep Borell.

Këtë e ka konfirmuar i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi Miroslav.

“ Është nismë e Edi Ramës. Më duhet të them se ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në të gjithë krizën, sepse është një njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ për t’u dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me të dhe e di se sa kohë dhe autoritet ka investuar për të gjetur një zgjidhje. Ky është propozimi me të cilin ai erdhi. Jemi në kontakt të përditshëm me SHBA-në dhe kryeqytetet kryesore evropiane. Por sigurisht, platforma më e mirë për zgjidhjen e çështjeve është dialogu dhe ne duhet t’i kthehemi dialogut” ka thënë Lajçak.

Rama ka propozuar një konferencë “normalizimi” ku kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq do të mbylleshin deri kur të përfundonte diskutimi për gjithë mospajtimet.

“Të dy liderët të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë noramlizimi, pa të drejtë dalje deri kur të përfundoj bashkëbisedimi që të trajtohen ato pika, që askush nuk i kundërshton, por në të njejtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen, sepse s’ka vullnet. Ky është fakti. Ka edhe një dehje nga ky karshilleku me gjithë planetin demokratik, në emër të nuk e di se çfarë. Por realiteti i përditshëm sot, po bëhet bazë për një realitet shumë negativ nesër, në të gjitha aspektet. S’më takon mua të diskutoj ekonominë e Kosovës apo aq më pak të Serbisë. I vetmi përfitues nga kjo situatë është zotëria që rri i mbyllur në bunkerin e tij në Kremlin”, ka thënë Rama./Gazeta Express