Ankimimi i Berishës për regjistrimin e PD në zgjedhjet e14 majit, caktohet data se kur do të mbahet seanca në Kolegjin Zgjedhor

Grupi i Berishës ankimoi pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë vendimin e dhënë nga KAS që i dha të drejtë që të regjistrohej në zgjedhjet e 14 majit PD me kryetar të komanduar Alibeajn.

Për të shyqrtuar ankimimin, më datë 27 mars pritet të mbahet seanca në Kolegjin Zgjedhor. Mësohet se seanca gjyqësore do të mbahet në orën 14:30.

Grupi i Berishës kërkon shfuqizimin e këtij vendimi dhe futjen në zgjedhje të PD-së të drejtuar nga ish-kryeministri.

NJOFTIMI

Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja me:

 

PADITËS: Partia Demokratike e Shqipërisë
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
OBJEKTI: Ndryshimin e Vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), në
Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur:
1. Detyrimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, të çregjistrojë subjektin “Partia Demokratike”, e regjistruar me nënkryetarin z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar;
2. Regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryetari z.Sali Berisha, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023;
3. Rregullimin e pasojave duke detyruar Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, të përfshijë subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë të përfaqësuar nga Kryetari z.Sali Berisha, si pjesë e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, koalicion i regjistruar nga KSHZ me vendimin e datës 18.03.2023.

 

Për dijeni, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me Vendimin nr.27, datë 16.03.2023, objekt i padisë së mësipërme, ka vendosur:

“1. Rrëzimin e kërkesës ankimore nr.33 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z.Ledio Nuraj dhe z.Franci Nuri;

2. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr.32 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z.Indrit Sefa;

3. Ankuesi “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Indrit Sefa të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: – Deklaratën sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetarin z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë; – “Deklaratën e angazhimit solemn” të nënshkruar nga nënkryetari z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë;

4. Ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe detyrimin e Komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me nënkryetarin, z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë;

5. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;

6.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Administrativ brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij”.

Më datë 21.03.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:

1. Blerona Hasa (Relatore);
2. Manjola Xhaxho (Anëtare);
3. Emona Muҫi (Anëtare);
4. Esmeralda Xhili (Anëtare);
5. Alma Kolgjoka (Anëtare).

Me Urdhër Nr.5, datë 23.03.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 27.03.2023, ora 14:30, për zhvillimin e seancës gjyqësore pranë sallës “Amfiteatri”, në selinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.