Plagosi me armë gjahu 49-vjeçarin në Kurbin pas konfliktit banal, lokalizohet dhe kapet autori (EMRI)

Policia e Kurbinit ka arrestuar një 56-vjeçar të identifikuar si Besnik Selmani, i cili dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në 7 mars në Patok shtetasin Besnik Pula pas një konflikti verbal mes të dyve.

“Me datë 07.03.2023, në Lagunën e Patokut, Kurbin, shtetasi B. S. 56 vjeç, banues në Milot, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet që ka plagosur me armë gjahu çifte shtetasin B. P. 49 vjeç, banues në Krujë, i cili pas mjekimit në spital, ndodhet jashtë rrezikut për jetën,” thuhet në njoftimin e policisë.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë shpallur në kërkim policor si dhe kanë vazhduar kontrollet e pandërprera duke vlerësuar e verifikuar edhe çdo informacion policor të administruar mbi vendndodhjen e autorit të dyshuar, me qëllim kapjen dhe vendosjen e tij përpara përgjegjësisë ligjore penale.

Si rezultat, gjatë ditës së sotme, është finalizuar operacioni policor i koduar “Laguna”, ku u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit B. S. në një banesë të braktisur në fshatin Fushë Milot, Kurbin, ku ishte fshehur e strehuar.

Gjithashtu, në momentin e kapjes, iu gjet e sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut çifte, e dyshuar e përdorur ditën e ngjarjes, të cilën e kishte të regjistruar me leje përkatëse në emër të tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Kurbin për veprat penale ” Vrasje me dashje’ mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi e mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”./albeu.com/


Shtuar 11.03.2023 16:05