Si u arrestua zjarrëfikësi? Lëvizja e gabuar e “Çimit e Rizait” që e çoi në pranga

Ndriçim Harka është vënë në pranga pasi akuzohet se bashkëpunonte në transportimin e kokainës me makina nga Gjermania në drejtim të Zvicrës.

Hetimet kanë nisur në vitin 2015, periudhë në të cilën është sekuestruar edhe kokaina. Florian Moko do gjente kokainën për Elton Meta Tony, i cili tha se punonte për Shkëlqim Hakan, i cili sipas verifikimeve është Ndricim Harka.

Hetimi fillimisht kishte nisur në Zvicër e Gjermani, por autoritetet e huaja kishin dyshime se rrjeti i shpërndarjes së lëndëve narkotike drejtohej nga Shqipëria. Me anë të një shkrese zyrtare, Zvicra kërkoi që Prokuroria e Tiranës të niste hetimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

Më 6 qershor 2016 në prokurorinë e Tiranës u regjistrua procedimi penal për veprën penale trafik i lëndëve narkotike i kryer në bashkëpunim.Ky procedim u regjistrua pas kërkesës për ndihmë juridike nga autoritetet zvicerane, si një hetim paralel për fakte kriminale ku ishin përfshirë shtetas shqiptarë me vendbanim në Shqipëri.

Nga kompanitë telefonike u kërkua identifikimi i dy numrave telefonikë të cilët më pas rezultuan se njëri i përkiste Ndriçim Harka e tjetri Etmond Merja, kunati i tij.Më pas është kërkuar verifikimi i numrave në sistemin elektronik të policisë së shtetit.

Ka rezultuar se Harka kur ka aplikuar për kartë identiteti ka dhënë numrin që ishte në përgjim dhe ishte identifikuar nga autoritete zvicerane. Karta e identitetit i është dhënë më 25 shkurt 2021. ‘Oranews’, bën të ditur se Etmond Merja rezulton të ketë dalë nga territori shqiptar prej 9 gusht 2018 nga Kapshtica dhe qëndron në Selanik të Greqisë.


Shtuar 21.06.2021 18:32