Sot iu vunë prangat, cila është akuza që rëndon mbi Safet Gjicin

Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici është arrestuar sot me urdhër të SPAK, në kafen poshtë shtëpisë së tij.

Mësohet se Gjici është vënë në prangat e policisë nën akuzë për korrupsion pasi sipas nenit 260, gjatë kohës kur ka drejtuar Bashkinë e Kukësit.

Pak ditë më parë ai dha dorëheqjen pasi u përfshi në një skandal seksual, video e të cilit u përhap në rrjetet sociale.

Më pas Gjici shfaqet duke biseduar me vajzën me të cilën kryen marrëdhënie seksuale, për një tender për qentë e rrugëve dhe autorizon nënkryetarin e bashkisë të lidhë marrëveshje me të nën emrin e Bashkisë së Kukësit.

Video që është filmuar në zyrë dhe u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale mban datën 6 qershor 2023. Pas publikimit të saj SPAK njoftoi nisje të një procedimi penal, por pa bërë të qartë se për çfarë akuze kishin filluar hetimet.

Në një mesazh në faqen e tij në Facebook ai kërkoi ndjesë dhe pretendoi se kishte rënë pre e një kurthi.

“Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje”, shkroi ai duke fajësuar rivalët politikë.

Gjici më tej pranoi që ishte në një marrëdhënie me gruan që shfaqet në video, por tha se në këtë situatë nuk kishte vlerë asnjë lloj justifikimi.

Më tej ai shkroi se jepte dorëheqjen.

“Nuk mund të jem më unë njeriu që punon në atë zyrë shteti pasi e kam tradhtuar besimin e atyre mijëra njerëzve që besuan e punuan me mua për ta bërë Kukësin një qytet gjithnjë e më të mirë”, shkroi ai dhe e cilësoi ngjarjen një “mendjelehtësi të pafalshme”.

Ndërkohë pasi Gjici pati njoftuar dorëheqjen, ministrija e Financave Delina Ibrahimi njoftoi se Këshilli i Ministrave kishte vendosur shkarkimin e menjëhershëm të Gjicit nga detyra.

Gjici i fitoi zgjedhjet lokale të majit dhe mori mandatin e dytë në Kukës. Mandatin e parë ai e mori në zgjedhjet pa garë të vitit 2019.