Me raketat gati, përballje e ashpër mes avionëve turq dhe grekë në Mesdhe (VIDEO)

Përveç detit dhe ajrit, përballja Turqi-Greqi është e fortë edhe në sektorin e propagandës, ku të dy shtetet përpiqen që të tregojnë fuqinë e ushtrisë së tyre.

Kështu, gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, Agjencia Anadolu publikoi pamje të disa avionëve grekë që ishin nisur nga Kreta për në Qipro, të cilët u larguan pas ndërhyrjes së avionëve turq.

Sipas AA-së, avionët grekë kishin synim që të fluturonin mbi zonën ku po kryhen kërkime nga anijet turke të udhëhequra nga “Oruç Reis”, prandaj edhe u desh ndërhyrja e avionëve turq për të larguar grekët.

Por, ndryshe raportojnë mediat greke, shkruan albeu.com.

Sipas “Protothema”, 6 avionë të forcave ajrore greke u nisën nga Kreta për në Qipro duke mbërritur atje pa asnjë problem.

Madje, sipas “Protothema” avionët grekë i perceptuan nga turqit vetëm pasi ata ishin në ajër dhe u kapur kështu gafil në mijëra metra lartësi.

Më herët, Turqia kishte shpallur një NAVTEX sipas të cilit do të kryhen testime dhe ushtrime me zjarr të vërtetë në zonën e kontestuar detare mes Rodosit dhe Qipros, dhe sipas atij njoftimi, çdo anije që kalon në atë zonë duhet të tregojë kujdes. /albeu.com


Shtuar 29.08.2020 07:49