“Ta bëj unë krevatin për fëmijën”, “mobiljeri” mashtron oficerin e krimeve brenda në komisariat

Për disa mashtrues, thonë që i ndihmon jo vetëm aftësia, por edhe kurajo dhe fati. Por ndonjë prej tyre, si L.N., qëlloi aq i guximshëm, sa në oborrin e komisariatit, brenda në polici u soll aq mirë me një oficer krimesh, sa që e bindi atë se ishte një pronar i zoti i një mobilerie.

Por kurajo nuk e ndihmoi kësaj radhe, pasi sipas burimeve policore të Gazetasi.al, agjenti, kur e kuptoi në krye të disa muajve se ishte mashtruar, nga një person i cili më pas rezultoi se ishte mashtrues, i dënuar edhe më parë, hapi gojën dhe rrëfeu. Mashtruesi i pafat, kësaj radhe, pasi u përpoq të mashtronte klientin-polic, i cili ishte pikërisht personi që duhet t’i qëndronte më korrekt se kujtdo tjetër, u justifikua më pas se nuk kishte pasur këtë qëllim.

”Do ia kryeja porosinë, por nuk kisha materiale”, – tha mashtruesi, i cili pavarësisht kësaj nuk shpëtoi dot.  Klienti ishte një oficer policie, i cili pasi priti porosinë, u nxeh aq keq, sa që në një nga ditët, kaloi nga njëra zyrë në zyrën tjetër dhe pikërisht në komisariatin numër një, i tha kolegut: “Dua të denoncoj, po më mashtron një mobilier”.

Ajo ç’ka rrodhi më pas, është e gjitha një çështje në disfavor të L.N., 46 vjeç, i cili, pasi u pa se kishte qenë një mashtrues spektakolar, u kërkua dhe u thërrit në polici dhe u vu përpara provave që janë kundër tij. Burimet bëjnë të ditura për Gazetasi.al, se kallëzues është oficeri E.R., dhe sipas komisariatit numër një, ai rezulton oficer krimesh në këtë rajon. Por ai pavarësisht se heton krimin, nuk e kishte hetuar mobilerin, i cili kishte rekorde në këtë fushë.

“U njoha me këtë person në afërsi të komisariatit dhe në bisedë e sipër, pasi më tregoi se kishte punishte mobilerie, e pyeta, a mund t’më bënte një krevat për fëmijën. L.,pranoi dhe më tha se një ditë do vite të merrte masat në dhomën e shtëpësë. Më pas erdhi në banesë dhe kreu matjet, ku e pranishme ishte edhe bashkëshortja O.R.,”.

Kolegët e tij shkruajnë në vazhdim: “Pasi mbaroi matjet, i dyshuari L., dhe efektivi E.R., kanë dalë nga banesa dhe L., i ka thënë se krevati kushtonte rreth 20.000 lekë dhe atij i duheshin parapagim 15.000 lekë për bazën materiale dhe kolegu ia ka dhëne këtë shumë lëkësh”.

Nga ky moment, sipas pretendimeve të policit të mashtruar, të dyja palët kanë komunikuar me mesazhe. Por një muaj më pas, mashtruesi zhduket dhe nuk i kthen asnjë përgjigjje në telefon.

“E.R., i ka dërguar mesazhe, ku i kërkonte paratë ose krevatin e djalit, në të kundërt do të bënte kallëzim, por përsëri i pandehuri nuk i kthente përgjigje, madje i binte zilja e telefonit dhe ai nuk e hapte. Dërgimi i mesazheve për të marrë të hollat ose krevatin, vazhdoi tre muaj, derisa E., depozitoi kallëzimin penal”.

Rajoni numër një pohon për Gazetasi.al, se të njëjtat rrethana dhe fakte, pranon edhe gruaja e oficerit të policisë, e cila shkruan se tentoi disa herë ta kontaktojë mashtruesin, por ai, jo vetëm që nuk hapte telefonin, por më pas edhe ua bllokoi numrat.

“Policia Gjyqësore ka kryer telefonata në drejtim të numrit të L.N., por ky i fundit përsëri nuk e ka hapur dhe për këtë fakt, policia gjyqësore ka hartuar dhe raport shërbimin përkatës. Nga printimi i sistemit TIMS, rezulton se shtetasi L.N., është i dënuar disa herë për konsumim të veprës penale “Mashtrimi” dhe “Dhuna në familje’”, – thuhet në shkresat e komisariatit numër 1.

Pasi janë vënë në kërkim të tij, policia bën me dije se ra në gjurmët e mashtruesit, por tregohet se gjatë marrjes në pyetje, ai parashtroi se nuk kishte pasur qëllim të merrte paratë përmes mashtrimit. “Nuk kisha mundësi ta përfundoja punën, pasi kisha mungesë materiali”, – u justifikua mashtruesi i policit, i cili nga ballafaqimi me të, u përpoq gjithashtu të reduktonte edhe detyrimin monetar./gazetasi


Shtuar 28.07.2021 22:12