Dëmtoi arbitrin me sende të forta, arrestohet 50-vjeçari (VIDEO)

Në ndeshjen e sotme të luajtur në stadiumin e Delvinës, mes vendasve dhe AF Elbasanit, dueli është ndërprerë në minutën e 60-të.

Kjo, pasi arbitri kryesor Xhulio Agolli nga Fieri, është goditur nga tifozët me sende të forta në pjesën e kokës dhe ka qenë i pamundur vijimi i takimit.

Ky takim ishte i vlefshëm për javën e pestë të grupit B në Kategorinë e Dytë dhe deri në ato momente rezultati ishte 0-0. Situata precipitoi pas një pretendimi për penallti të Delvinës dhe më pas tifozët hodhën sende në fushë.

Policia njofton se ka arrestuar shtetasin T. P 50-vjeç.

Njoftimi i policisë:

Delvinë/Hodhi sende të forta në fushë duke dëmtuar arbitrin kryesor të ndeshjes së futbollit, arrestohet në flagrancë 50-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë arrestuan në flagrancë shtetasin T. P., 50 vjeç, banues në Delvinë.

Gjatë ndeshjes së futbollit të kategorisë së dytë, ndërmjet skuadrave të Delvinës dhe Elbasanit, të zhvilluar ditën e sotme, në stadiumin “Panajot Pano”, Delvinë, 50-vjeçari nga lartësia e një pallati afër stadiumit, ka hedhur sende të forta (gurë), në fushë duke dëmtuar arbitrin e ndeshjes, shtetasin Xh. A., i cili pasi ka marrë ndihmë mjekësore në spital është larguar në banesë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, ndërmjetësit sportiv” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitet sportive”. /G.D albeu.com