Infektohen nga koronavirusi babë e bir në Bosnje-Hercegovinë

Bosnje dhe Hercegovina ka konfirmuar rastet e para me koronavirusin e ri, konfirmoi ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Republikës Serbe, Alen Sheranic, në një konferencë për shtyp.

“Bëhet fjalë për një punëtor që ishte në Itali dhe që u kthye në Banja Llukë. Ai u transferua në një qendër klinike. Gruaja e tij është negative, por fëmija është pozitiv për korona virus”, tha Sheranic, duke shtuar se mund të paraqiten edhe më shumë raste.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të kujdesen për higjenën personale. Këshilli i Ministrave i Bosnje dhe Hercegovinës do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme të enjten për të diskutuar mbi situatën.

Në të gjithë botën, autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92,000 raste të virusit, nga të cilat më shumë se 80,000 janë në Kinë. Bilanci i vdekjeve kapërceu 3000. Dhjetë nga 11 vdekjet në SHBA kanë ndodhur në shtetin Uashington, por një shpërthim të virusit ka pasur edhe në Teksas dhe Nebraska.


Shtuar 5.03.2020 11:07