Silvio Berlusconi në prag të daljes nga politika, por kush do të jetë trashëgimtari? 

Nga Gregorio Sorgi “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Silvio Berlusconi do t’i ndjekë nga një shtrat spitalor punimet e kongresit të partisë së tij Forza Italia. Megjithatë, hija e tij do të mbushë sallat e mrekullueshme të qendrës së konferencave “East End Studios” në Milano. Se deri në çfarë mase do të jetë ai i pranishëm kjo mbetet ende e mbuluar me mister.

Edhe pse emri i tij shfaqet në programin zyrtar së bashku me të mëdhenjtë e Brukselit, si presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, dhe udhëheqës i qendrës së djathtë në PE, Manfred Weber, e sigurt është se do të japë një mesazh-audio nga spitali, sipas raporteve mediatike të pakonfirmuara nga partia e tij.

Problemet shëndetësore të ish-kryeministrit e kanë zhytur në një krizë ekzistenciale Forza Italia, pasi figurat kryesore brenda partisë konservatore kryesore të Italisë dhe mbështetëses kryesore të qeverisë koalicionit të krahut të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni, u detyruan që të nisin në mendojnë sesi të ecin përpara pa themeluesin e tyre.

Por sipas shumë zyrtarëve brenda partisë, ekspertëve të sondazheve dhe analistëve politikë, Forza Italia, nuk ka gjasa që të ketë më shumë jetë sesa lideri i saj i plotfuqishëm. “Nuk ekziston një parti post-Berlusconi”- thotë për “POLITICO” një nga etërit themelues të Forza Italia, Giuliano Urbani, duke i bërë jehonë një ndjenje shumë të përhapur në qarqet politike italiane.

“Motoja e tij është: “Après moi, le déluge, pas meje u bëftë qameti”- thotë Salvatore Merlo, zv/kryeredaktor i së përditshmes italiane “Il Foglio”. Referenca për thënien e famshme të mbretit të Francës Luigji XV është me vend, pasi të gjithë e dinë se Berlusconi sundon si një monark absolut dhe jo si një udhëheqës tradicional i një partie politike.

Në fakt pas tij nuk ka asgjë, sepse në dallim nga shumica e familjeve mbretërore, Berlusconi nuk ka trashëgimtar të fronit. Në moshën 86-vjeçare, ish-kryeministri vazhdon të fitojë vota, të mbledhë para dhe të tërheqë fijet e politikës italiane nga vila e tij e shekullit XVIII Arcore në Lombardi, në veri të Italisë.

“Forza Italia është një parti e pakontestueshme, e përqendruar tërësisht tek udhëheqësi dhe ku debati politik zhvillohet nën një tavan prej xhami. Mbi tavanin prej xhami është Silvio Berlusconi”’- thotë Giovanni Orsina, historian i politikës në Universitetin LUISS në Romë.  Lidershipi aktual i Forza Italia i ngjan një oborri mbretëror mesjetar, ku merita kryesore është afërsia me liderin, thonë disa zyrtarë brenda partisë dhe analistë. Ajo nuk ka rregulla të brendshme, asnjë status dhe më e rëndësishmja asnjë mënyrë për të hequr qafe Berlusconin.

Figura të larta të partisë e dinë se çfarë mund dhe s’mund të bëjnë. Dhe ka një “vijë të kuqe” rreth postit kryesore. Së pari, çdo lider aspirant duhet të mbledhë rreth 90 milionë euro për të shlyer borxhet e partisë, konfirmoi arkëtari i partisë Alfredo Messina për mediat italiane.

Prandaj pasardhësit e shumtë të mundshëm të ish-kryeministrit – të njohur si “delfinët” në leksikun politik italian – janë detyruar të largohen nga Forza Italia pasi u shpërfillën thirrjet për zgjedhje të hapura paraprake. “Të jesh delfin i një peshkaqeni është diçka shumë e rrezikshme”- i tha disa vite më parë lideri i krahut të majtë Massimo D’Alema kundërshtarit të tij Berlusconi.

Megjithëse mbështetja për këtë parti ka rënë nga 37 për qind në vitin 2008 në 8 për qind vitin e kaluar, ish-kryeministri mbetet aseti elektoral kryesore i Forza Italia. Nënkryetari i partisë, Antonio Tajani, dhe figura të tjera të larta partiake nuk shihen si fitues të votave. “Brenda partisë nuk ka udhëheqje alternative ndaj Silvio Berlusconit. Askush nuk e ka karizmën për të mbajtur Forza Italia në nivelin elektoral aktual”- thotë Lorenzo Pregliasco, drejtori i agjencisë së sondazheve YouTrend.

Sipas Osvaldo Napoli, një ish-deputet i Forza Italia, që kaloi tek një parti centriste “2/3 e votave të partisë i përkasin Berlusconit”. Shëndeti i dobët i ish-kryeministrit mund të ketë efekte negative në Bruksel. Pas zgjedhjeve evropiane të planifikuara për në maj 2024, vëzhguesit politikë e shohin mundësinë e një aleance midis grupit të fuqishëm të Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë dhe Fratelli D’Italia të krahut të djathtë të Melonit, që kryeson sondazhet në vendin e tretë më të madh të BE-së.

Forza Italia gëzon një pozicion strategjik, pasi është anëtare e PPE-së në Bruksel dhe aleate me Melonit në Romë. Në Itali, analistët po spekulojnë se romanca midis Forza Italia dhe Fratelli D’Italia mund të çojë në një bashkim të dyja partive pas vdekjes së Berlusconit.

Kjo mund të jetë një mënyrë, përmes së cilës Meloni të trashëgojë lidhjen e Forza Italia me PPE-në në Bruksel, thotë Orsina. “Pyetja kryesore është nëse Meloni dëshiron që të bashkohet me PPE… Ne ende nuk e dimë përgjigjen”- shton ai.

Gjithsesi shëndeti i Berlusconit nuk ka gjasa të ketë pasoja të mëdha brenda partisë. Dy njerëzit më të fuqishëm në parti përkrah Berlusconit – partnerja e tij dhe parlamentarja Marta Fascina dhe Ministri i Jashtëm Tajani – organizuan një grusht shteti të brendshëm që i ngriti në nivelet më të larta drejtuese figurat pro-Melonit.

“Forza Italia nuk dëshiron të krijojë asnjë problem për qeverinë”- thotë Orsina. Kjo manovër politike u mbështet nga figura e tretë kyçe në rrethin e ngushtë të Berlusconit: vajza e tij më e madhe Marina. Në moshën 56-vjeçare, ajo është drejtuese e shtëpisë botuese Mondadori dhe presidente e Fininvest, konglomerati familjar që zotëron perandorinë mediatike të Berlusconit me 3.8 miliardë euro të ardhura vjetore.

Marina ka refuzuar vazhdimisht thirrjet për të ndërhyrë në polemikat politike. Por në dallim nga babai i saj, thuhet se ajo ka një marrëdhënie të mirë pune me Melonin. “Ato vijnë nga i njëjti brez, kanë lexuar të njëjtat libra, kanë parë të njëjtat filma. Kjo gjë krijon kimi personale”- thotë Merlo. /albeu.com


Shtuar 6.05.2023 11:12