“Kapelja” kundër “Kungullit”:Nisin përplasjet e forta në shtetin mafioz të Bullgarisë

Nga Christian Oliver “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kriza e fundit politike e Bullgarisë varet nga një bombë e vendosur në anë të rrugës, nga një ekspert izraelit i municioneve, dhe nga kërcënimet me vdekje në stilin e Kumbarëve të mafias. Personazhet kryesore janë kryeprokurori autoritar Ivan Geshev, që njihet në publik me nofkën ”Kapela” dhe ish-kryeministri po aq autokrat Bojko Borissov, i njohur me nofkën “Kungulli”.

Të hutuar? Mos u shqetësoni, të gjithë janë kështu. Por ky është padyshim një moment thelbësor për sundimin e ligjit në Bullgari, si dhe për përpjekjet për ta kthyer vendin ballkanik me 7 milionë banorë në një demokraci të plotë. Në zemër të krizës aktuale, qëndron roli shumë i rëndësishëm i kryeprokurorit.

Geshev është identifikuar prej kohësh nga aktivistët kundër korrupsionit dhe pro-demokracisë, si një nga pengesat më të mëdha për konvergjencën e Bullgarisë me normat e BE-së. (Ai është quajtur “Kapelja” për shkak të kapeleve firmato që mban vazhdimisht).

Gjatë verës së vitit 2020, ai ishte një nga objektivat kryesore të protestave të mëdha anti-mafia, ku demonstruesit kërkuan pa sukses dorëheqjen e tij. Mafia bullgare e mbrojtur politikisht, është e pranishme kudo dhe interesat e saj përfshijnë narkotikët, armët, trafikun e njerëzve dhe përfitimin e fondeve të BE-së.

Për protestuesit, prokurorët e fuqishëm të Bullgarisë qëndrojnë në zemër të strukturës mafioze, duke siguruar gjithmonë që asnjë “peshk i madh” të mos nxirret kurrë para drejtësisë në shtetin e kapur. Që kur i mbijetoi protestave në rrugë të vitit 2020, Geshev duket si gati i pamundur për t’u larguar, pjesërisht për shkak se ai ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Borissov, “mjeshtrin e kukullave” të politikës bullgare, të cilin ai e ndihmoi të dilte nga burgu vitin e kaluar. (Ish-truproja Borissov quhet “Kungulli” për shkak të kokës së tij të madhe).

Por tani diçka ka ndryshuar, duke shkaktuar një luftë civile në zemrën e errët të shtetit bullgar, e cila mund të ofrojë vetëm një fije shprese për ata që shpresojnë ta pastrojnë nga korrupsioni. Borissov fitoi ngushtësisht zgjedhjet në prill – të pestat në 2 vitet e fundit – dhe e emëruara e tij për kryeministre, ish-komisionerja e BE Mariya Gabriel, deklaroi më 11 maj se ajo dëshiron që Geshev të largohet nga detyra “për shkak të dëmtimit të prestigjit të sistemit gjyqësor”.

Edhe pse ajo nuk ka gjasa të jetë ndonjëherë kryeministre, sepse bisedimet e koalicionit të Borissov po dështojnë, Geshev u kundërpërgjigj ashpër në një dalje për mediat këtë javë, duke lënë të kuptohet se klasa politike po përpiqet ta vrasë atë dhe familjen e tij.

Ai po sugjeron gjithashtu se është i gatshëm të godasë korrupsionin e nivelit të lartë. Geshev pushtoi titujt kryesorë të medias më 1 maj, kur pretendoi se ai i shpëtoi për pak një sulmi me bombë në një kthesë në një rrugë, ku trafiku duhet të ngadalësohet.

Zëvendësi i Geshev, Borislav Sarafov, pretendoi se shpërthimi krijoi një krater me diametër 3 metra, ndërsa një ekspert izraelit balistik u thirr enkas për të verifikuar sulmin. Megjithatë, shumë politikanë të opozitës dyshuan për një lloj inskenimi politik.

Sipas tyre Geshev, krijoi një narrativë të rreme persekutimi pikërisht në kohën kur shumica e politikës po kthehet kundër tij. Fotot e vendit të sulmit, treguan disa djegie në anë të rrugës dhe dy pemë të copëtuara. Asen Vasilev, bashkëthemelues i partisë kundër korrupsionit “Ne vazhdojmë ndryshimin”,  u tall para mediave kur deklaroi se po përpiqej të “frikësonte lepujt”.

Ndërsa Atanas Atanasov, bashkëkryetar i partisë reformiste Bullgaria Demokratike, shtoi se kishte “prova të qarta të inskenimit”. Por kjo nuk është hera e vetme që Geshev thotë se jeta e tij ka qenë në rrezik. Në deklaratën e të hënën, Geshev grisi një letër dorëheqjeje që ai tha se i ishte dorëzuar nga lart, duke u zotuar se do të përfundonte mandatin e tij të plotë deri në vitin 2026.

Duke përmendur rastin e gjykatësit të vrarë siçilian, Giovanni Falcone, ai tha se ka marrë kërcënime me vdekje. Po ashtu kërcënime kishte marrë edhe familjen e tij. Geshev shtoi se Borissov është përpjekur  ta bindë të heqë dorë nga posti i kryeprokurorit për t’u bërë ambasador në Turqi ose Izrael. (Borissov, aktualisht jashtë pushtetit, e mohon se ka aftësinë për të bërë një ofertë të tillë).

Duke e paraqitur veten si një mbrojtës i pavarur i ligjit, Geshev u zotua të luftojë dhe të pastrojë vendin nga “plehrat e tij politike” që janë në parlament. Duke e përshkruar veten si një kampion i kauzës euro-atlantike, Geshev e ironizoi Borissov pse i dha presidentit rus Vladimir Putin një qen në shenjë miqësie.

“Edhe disa ish-kryeministra i dhanë këlyshë Putinit”- tha ai. Por a nuk ishte Geshev dikur një i mbrojtur i Borissov? Po, partia GERB e Borissov ishte thelbësore për ta zgjedhur Geshev në këtë post në vitin 2019. Kur Borissov u arrestua vitin e kaluar në lidhje me një hetim mbi marrjen e një ryshfeti prej vjedhjen e miliona levave nga një baron i kazinosë i quajtur Vasil Bozhkov, Geshev e shpëtoi, teksa prokurorët  e tij e cilësuan çështjen si qesharake dhe të motivuar politikisht.

Në fakt, çështja u pa si provë klasike se si prokurorët bullgarë luajnë një rol kyç në mbrojtjen e “peshqve të mëdhenj”. Por tani Borissov thotë se vendimi për lirimin e tij u mor në mënyrë të pavarur nga dy gjykata. Nga ana e tij, Geshev e ka marrë inat.

Në konferencën për mediat të hënën, ai bëri referenca për “personin e Bojko Metodiev Borissov” në lidhje me kërcënimet ndaj tij, dhe la të kuptohet se ai kishte fjalën e fundit nëse do të vazhdonte hetimi mbi një dosje famëkeqe të pastrimit të parave, që përfshin Borisov dhe blerjen e një prone të shtrenjtë në Barcelonë.

Pra, çfarë e nxiti përplasjen midis Borissov dhe Geshev? Kjo nuk është e qartë. Ka mundësi që Borissov të ketë parë më në fund se Geshev është bërë kaq shumë i pushtetshëm, saqë duhej t’i bënte presion për t’u larguar nëse do që të shpëtonte të ardhmen e tij politike, të fitojë aleatë të besueshëm në koalicion, dhe të ringjallë pozicionin e tij në skenën e BE-së.

Dhe çfarë po bën sistemi ligjor bullgar para këtyre zhvillimeve? Gjërat po ecin me shpejtësi. Sarafov, zëvendësi besnik i Geshev në ditën e sulmit të pretenduar me bombë, ka ndërruar anë. Tani ai po kërkon dorëheqjen e shefit të tij, dhe ka paraqitur një raport me prokurorët e qytetit të Sofjes në lidhje me shkeljet e supozuara nga Geshev, përfshirë përgjimet e paligjshme.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes, ai është marrë nën mbrojtje edhe nga Ministria e Drejtësisë. “Unë e njoh mirë zotin Geshev dhe pikërisht për këtë arsye deklaroj se kam frikë për jetën time”- tha Sarafov, duke shtuar se ai i dinte “metodat” e Geshev dhe këmbëngul se kryeprokurori ishte “i paqëndrueshëm mendërisht”.

Nga ana e tij, Geshev i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor të Bullgarisë të marrë masa disiplinore kundër Sarafov, një njeri për të cilin ai pretendon se është “tradhtar i popullit bullgar”. Sindikata e gjyqtarëve të Bullgarisë, e ka cilësuar Geshev si të papërshtatshëm për pozicionin që mban për shkak të “mungesës së plotë të cilësive profesionale dhe morale.

Sipas saj konferenca e tij e fundit për shtyp tregoi “talentin e tij si aktor”, por zbuloi se motivimet e tij ishin personale dhe politike. Ndërkohë, sindikata bëri thirrje për një zëvendësim të Këshillit të Lartë Gjyqësor që emëron kryeprokurorin.  Çfarë mund të ndodhë më pas? Në një botë ideale, zhvillime të tilla do të shkaktonin një rishikim rrënjësor të sistemit gjyqësor bullgar, dhe ndoshta edhe ndryshime kushtetuese.

Por duket se gjërat nuk e kanë arritur ende pikën plotë të vlimit. Ka të ngjarë që në fund presioni politik të fitojë shumicën e nevojshme në Këshillin e Lartë Gjyqësor të Bullgarisë për të siguruar largimin e Geshev. Por nuk është aspak e qartë se kush do ta drejtojë shfaqjen politikisht, ndërsa Geshev thotë se anëtarët e Gjykatës së Lartë janë figura të kompromentuara.

Borissov nuk ka gjasa të jetë në gjendje të formojë një qeveri, dhe vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të gjashta parlamentare në të 2 vitet e fundit. Zhvillimet mund të përshpejtohen nga skandalet e fundit të zbuluara. Vetë Geshev është shumë kokëfortë dhe nuk ka gjasa të tërhiqet. “Për mua e vetmja gjë e rëndësishme, është të punoj për popullin bullgar. Pavarësisht gjithçkaje, unë do ta përfundoj mandatin tim”- tha ai të hënën. /albeu.com


Shtuar 19.05.2023 12:13