Zhgënjimi me Ligjin e Pagave në Kosovë

Mbi 80 mijë punonjës të sektorit publik në Kosovë, nga ky muaj kanë marrë pagat e para me ligjin e ri. Por me pagën e muajit shkurt, atyre nuk iu llogariten edhe shtesat. Shumicës u dolën edhe pagat me ulje, kurse në disa raste pati rritje 10 euro deri në 50 euro. Sindikatat paralajmërojnë protesta. Opozita e ka akuzuar qeverinë për mashtrim.

Nga Prishtina, Fatos Shala

Një ligj që pritej me shumë entuziazëm, rezultoi se “u theu zemrën” shumë qytetarëve të Kosovës.

Në fakt, mbi 80 mijë shërbyes civilë, që marrin paga nga shteti, nuk u gëzuan fare me Ligjin e ri të Pagave, që nisi zbatimin në shkurt të këtij viti.

Shumicës së tyre iu ulën pagat. Disave iu hoq edhe pagesa shtesë dhe rrezikshmëria.

Të revoltuar nga mashtrimi i Qeverisë, sindikatat në Kosovë kanë paralajmëruar protesta.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës, Mursel Zymberi, ka thënë se kjo kategori ka shënuar rritje të pagave në vlerë 10-11 euro deri në 50 euro.

Sipas tij, me këtë rritje të pagave, të cilën e quajti tejet të vogël, është krijuar pakënaqësi e madhe te shërbyesit civilë, pasi sipas tij, pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha.

“Ky është mashtrimi i dytë që ndodhi, për faktin se mashtrimi i madh ndodhi atëherë kur vlera e koeficientit u caktua në vlerë 105 euro.

Dhe sot, në nivelin e shërbimit civil, kur është parë gjendja në llogari bankare se sa mjete kanë dalë nga qeveria në emër të pagave, është për të ardhur keq dhe është një zhgënjim tejet i madh për faktin se një numër i madh i shërbyesve civilë ka pasur ngritje vetëm në vlerë 10-11 euro dhe një pjesë tjetër deri në 50 euro”.

Zymberi ka thënë se secili shërbyes duhet ta ketë pagën të paktën mbi 450 euro, por për një numër të madh, paga nuk arrin as 400 euro.

“Secili prej tyre ka pasur pritshmëri që të mos ketë paga së paku nën 450 euro sepse të punosh në administratë publike e të marrësh pagë nën 450 euro është e dhimbshme. Një numër i madh i shërbyesve civilë nuk e arrin pagën 400 euro edhe me këtë rritje”.

Policisë dhe zjarrfikësve nuk u vlerësohet rrezikshmëria

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thekson se me ekzekutimin e pagave me ligjin e ri, nuk është përfshirë rrezikshmëria, dhe se tek një pjesë e punonjësve nuk ka pasur rritje të pagës.

Lidhur me pakënaqësitë e tyre, Zeqiri tha se kanë dërguar edhe ankesën tek Avokati i Popullit për dërgimin e Ligjit të pagave në Kushtetuese.

“Në pagë nuk është përfshirë shtesa e rrezikshmërisë, që këtu është pakënaqësia më e madhe. Që nga ekzekutimi i pagave kam pasur shumë kontakte nga kolegët, të cilët vazhdimisht janë duke i shprehur pakënaqësitë.

Për ne, kjo është e papranueshme. Ne si sindikatë nuk jemi të përfshirë dhe as menaxhmenti i policisë dhe nuk di si do të dalë, nuk e dimë me çfarë forme dhe në cilën mënyrë apo sa do të jenë ato shtesa të rrezikshmërisë.

Aktualisht, pakënaqësitë janë jashtëzakonisht të mëdha, kërkesat e policisë janë nga më të ndryshmet deri edhe në shkallëzim situate apo veprime sindikale, radikale… Tek një pjesë nuk kemi rritje të pagave dhe te një tjetër kemi zbritje, por që nuk i kanë marrë me zbritje për shkak që Ligji e mbron që në vitin e parë edhe kur atakohet nuk ka zbritje të pagave”.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, ka thënë se përveçse nuk janë të kënaqur me Ligjin e ri të pagave, sipas tij ka lëshime në ekzekutimin e pagave.

Ai ka thënë se për të njëjtin profesion me të njëjtin vend të punës ka dallim në paga.

“Kjo dalje ka qenë katastrofike, ne e kundërshtojmë fuqishëm pasi që është pritur shumë lidhur me këtë ligj dhe është shpresuar se do të jenë paga të dinjitetshme.

Por, në bazë të informatave që kam pranuar nga zyrtarët e tjerë jam i befasuar, duke marrë parasysh se shumica e shërbyesve civilë janë klasifikuar profesional 3, që i bie 380 euro dhe krahas kësaj, edhe parimi për punë të njëjtë, pagë të njëjtë, nuk është respektuar, ku kemi parasysh se nëpër komuna dhe institucione tjera vijnë informata që i njëjti profesion, me të njëjtin vend pune, po dallojnë”.

Gashi i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa urgjente.

“Bëj thirrje qeverisë që me urgjencë t’i kontaktojë të gjitha organizatat punëdhënëse, komunat dhe ministritë dhe të kërkojë që të identifikohen të gjitha këto lëshime, pasi kjo pagë është e papranueshme për shërbimin civil”.

Edhe kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, është shprehur i zhgënjyer për mospërfshirjen e rrezikshmërisë në ekzekutimin e pagave.

Ai tha se disa zjarrfikës kanë marrë pagë më shumë se udhëheqësi i ndërrimit.

“Kam pas vërejtje prej shumë njësive se rritje të pagave nuk ka pasur. Rrezikshmëria prej 107 euro dhe të hyrat të shërbyesve civilë mungojnë, pra është një rritje minimale, por varet edhe nga njësitë e ndryshme, dhe shpresoj të jetë gabim në sistem.

Ka zjarrfikës që kanë marrë pagë më shumë se udhëheqësi i ndërrimit. Problemi ka qenë sepse nuk e kemi pasur të rregulluar strukturën organizative, nuk kemi pasur edhe pozitat e rregulluara”.

Mbi 40 ankesa tek Avokati i Popullit

Pakënaqësitë te pagat e shërbyesve civilë i tregojnë edhe ankesat që janë dërguar tek Avokati i Popullit.

Në këtë institucion thonë se tashmë numri i tyre ka shkuar mbi 40.

Këto ankesa janë bërë thuajse nga çdo institucion publik.

“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 40 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata Sindikale e Shërbimit Sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësorë, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për Pajisje të Dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu po analizohet ligji në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”.

Një sqarim të shkurtër për çështjen e ligjit të pagave e ka bërë edhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke thënë se shtesat e muajit shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.

“Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët. Andaj, njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”.

Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023.

Opozita akuzon qeverisën se mashtroi qytetarët.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në një deklarim publik ka thënë se qeveria sërish ka mashtruar me rritjen e pagave.

“Qytetarë të shumtë na kanë dërguar mesazhe gjatë ditës për të shprehur frustrimin e tyre lidhur me mashtrimin e Qeverisë për pagat. Zgjidhja është e qartë. Propozimi i LDK-së me koeficientin 125 krijon paga të dinjitetshme”.

LDK thotë se në krizën më të madhe ekonomike, me inflacion rekord, Qeveria është treguar e pandjeshme ndaj tyre.

Kritika për ligjin e ri të pagave kanë shprehur edhe partitë tjera opozitare. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi të punësuarve në sektorin publik iu ekzekutuan pagat e muajit shkurt, sipas Ligjit për Paga.

Edhe pse është pritur për shumë kohë, ky ligj nuk është pritur edhe aq mirë nga disa zyrtarë publikë, pasi janë shprehur të pakënaqur me vlerën e koeficientit. Madje, ka pasur reagime se me ligjin e ri pagat e disa zyrtarëve janë zbritur.

Lidhur me këtë ka reaguar Tahiri, duke e quajtur veprim degradues dhe vulë për dekurajimin e profesionistëve që të qëndrojnë në Kosovë.

“Në krizën më të madhe ekonomike që nga paslufta, qeveria e Albin Kurtit degradon pagat e mjekëve të përgjithshëm, teknikëve mjekësorë, policëve, ushtarëve, shërbyesve civilë si dhe shumë kategorive të tjera që paguhen nga buxheti i Kosovës, ndërsa ia rrit pagën kryeministrit dhe ministrave. Ky veprim degradues, është vulë për dekurajimin e profesionistëve që të qëndrojnë në Kosovë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se pagat janë dalë pa llogaritur shtesat, përvojat, rrezikshmërinë dhe kompensimet.

“Në vend të pagave, punëtorët e sektorit publik pranuan transfere kuturu. Disave nuk u janë llogaritur shtesat, të tjerëve përvoja, rrezikshmëria, të tjerëve kompensimet tjera, e kështu me radhë. Prapa kësaj qëndron axhenda politike e kësaj qeverie, pranoni pagat ose lëreni punën”.

Tahiri ka treguar se shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën dhe u mashtruan.

“Shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën, u mashtruan. Këta nuk qeverisin përmes ligjeve, në fakt ligjeve ju referohen vetëm për të shtyrë përpara turpin, që thellë, këta të paditur e kualifikojnë si Revolucion”.

Çfarë është ligji i pagave dhe koeficienti 105 euro?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi më 4 janar të këtij viti shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj, bëri publik vlerën e koeficientit për vitin 2023, i cili do të jetë 105 euro.

Ligji për Pagat në sektorin publik u miratua në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.

Projektligji, i cili nxiti reagime të shumta, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit votuan 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë, ndonëse ishin të pranishëm në sallën e Parlamentit.

Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm ligjin e atëhershëm për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit të asaj kohe, ligji nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Ligji për paga u miratua në shkurt të atij viti, nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj./monitor