Të shtënat me armë zjarri nëpër dasma, gjobë nga 200-500 euro

Policia në rajonin e Pollogut në periudhën e ardhshme do të intensifikojë dukshëm aktivitetet kontrolluese për zbulimin dhe sanksionimin e të shtënave me armë zjarri, bërjen e fishekzjarrëve dhe përdorimin e mjeteve piroteknike. Këto ditë po mbahen takime të intensifikuara të autoriteteve kompetente dhe qytetarëve, me të vetmin qëllim për të reduktuar dhe parandaluar prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Nga SPB Tetovë njoftojnë se në dy muajt e ardhshëm (korrik dhe gusht), në rajonin e gjerë të Pollogut janë planifikuar dhe do të organizohen një sërë dasmash dhe ahengje të tjera familjare.
Zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski shprehet se të shtënat e paautorizuara në ahengjet familjare mund të sanksionohen si shkelje, por mund të paraqesin edhe vepër penale.

“Të shtënat me armë zjarri janë në kundërshtim me Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, dhe gjoba për këtë lloj kundërvajtje, sipas nenit 31, varion nga 200 deri në 500 euro. Gjithashtu, në varësi të pasojave, të shtënat mund të paraqesin vepër penale “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, i cili dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet (neni 288 i Kodit Penal)”, njoftojnë nga SPB-Tetovë.


Shtuar 21.06.2022 15:57