“Familja po merr fund në këtë vend”, Eni Çobani bën akuza të forta: Fajin e ka Administrata e Kadastrës

Idajeti dhe Shqiponja, burrë e grua kanë qenë në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, kanë treguar problemin që kanë me pronën. Sipas Shqiponjës, bashkëshorti i saj Idajeti i ka dhënë firmën e shtëpisë së vëllait dhe sot ajo është pa shtëpi. Gjithashtu ajo tregon se kur e mori vesh që vëllai i Idajetit po i nxirrte nga shtëpia, ajo vetë e nxori bashkëshortin e saj nga shtëpia pasi për të ai është bashkëfajtor.

Eni Çobani është shprehur se një ndër fajtorët kryesor për këto probleme që njerëzit po përballen në ditët e sotme, është administrata e Kadastrës e cila po i fut familjet në konflikt.

Eni Çobani: Shtëpia është e babait të këtij zotërisë edhe këtë e pranon edhe zonja besoj. Janë ndarë në ’88 me bashkëshortin e Mefasë, me djalin e vetë. Faiku i ka thënë merr këto 20 metra, 25 janë të mijat, unë do jetoj me Idajetin. Kjo zonja ka jetuar tërë jetën me vjehrrin dhe vjehrrën. Tani në momentin që këta njerëz ikin nga jeta, ngrihen këta 5 të tjerët, Agimi, motrat, vëllezërit të gjithë dhe duan pjesë.

Duke mohuar moralisht, jo ligjërisht punën, kontributin, mbështetjen që kjo zonjë dhe ky djalë kanë dhënë për këta njerëz. Po e shohim që për këtë gjë nuk po pyesim më, se i ke mbajtur se nuk i ke mbajtur, jemi të tërë të barabartë, atëherë ku është shtëpia e Faik Dungës? Kjo është pyetja që unë i drejtoj Kajanit, Belshit, Elbasanit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Në qoftë se ka njerëz në këtë vend që po fusnin në konflikt familjet, janë kjo administratë dhe këta njerëz të papërgjegjshëm. Prandaj o do marrim masa të rregullojmë administratën, ligjin dhe shtetarët ose për ndryshe shoqëria dhe familja po merr fund dhe këtë nuk do ta lejojmë.