Atentati në Krujë, avokati i Valter Bamit: Mbrëmjen e vrasjes plasi fishekzjarr për ditëlindjen e motrës

Seanca gjyqësore ndaj Valter Bamit, i dyshuar për atentatin ndaj Gentian Bejtjas në Larushkë të Krujës është shtyrë për nesër, 10 korrik.

Seanca ishte planifikuar për sot por u shty për nesër pasi mungonte prokurori i çështjes. Valter Bami, i dyshohet të jetë i përfshirë në atentatin e ndodhur një javë më parë ndaj Gentian Bejtjas, ku mbeti i vrarë kunati i Gentian Bejtjas Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur.

Valter Bami u arrestua disa ditë më parë për armëmbajtje pa leje. Gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Vendore të Policisë së Tiranës, Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja po qëndronte në shtëpi, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si të seancës së parë të marrjes në pyetje pak orë pas ngjarjes.

Sakaq, avokati i Valter Bamit pretendon se klienti i tij disponon një armë sportive me leje të marrë në fund të vitit 2020, për të cilën do të dorëzoj në gjykatë edhe dokumentin përkatës, shkruan report tv. Sipas avokatit të tij, Valter Bami, disa orë para atentatit ndaj Gentian Bejtjes në fshatin Larushk ka lëshuar një fishekzjarr për ditëlindjen e të motrës, megjithatë nuk e përjashton mundësinë që mikro-grimcat e gjetura te kyçi i dorës të jenë të armës së tij sportive, pasi sipas Bamit shpesh e pastron armën.

Avokati i tij, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, pritet të kërkoj një ekspertizë më të thelluar, për të përcaktuar saktë çfarë plumbash i përkasin grimcat e gjetura./albeu.com/


Shtuar 9.07.2023 13:17