“Përtej parashikimeve të BSH”, VOA: Inflacioni i lartë në Shqipëri, norma interesit rritet për të 4-tën herë në 6 muaj

Banka e Shqipërisë njoftoi të mërkurën se ka vendosur të rrisë sërish normën bazë të interesit, në përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur rritjes së shpejtë të inflacionit, përtej parashikimeve të saj. Me vendimin e sotëm të Këshillit mbikëqyrës së Bankës qendrore, norma baza rritet me 0,5 pikë përqindje, duke u ngjitur në kuotën e 2.25 përqind.

Për 11 vite me radhë, norma bazë e interesit njohu vetëm ulje, duke rënë në kuotën më të ulët historike prej 0.5 përqind. Nivel në të cilin qëndroi më pas e pandryshuar prej dy vitesh, deri kur në mars të këtij viti, Banka u detyrua të ndërhyjë, pas shenjave të para të rritjes së inflacionit. Dy ndërhyrje të tjera pasuan në muajt korrik dhe gusht. Vendimi i sotëm, është i katërti i radhës, në harkun e gati 6 muajve.

“Normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale”, deklaroi guvernatori Gent Sejko.

Ndërsa në Janar inflacioni ishte në kuotat e 3.7 përqind, në korrik dhe gusht u ngjit në nivele të larta, respektivisht prej 7.5 dhe 8 përqind. Sipas Këshillit Mbikëqyrës “rritja e shpejtë e çmimeve mbetet rreziku kryesor për stabilitetin monetar e financiar të vendit dhe për rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të tij”.

Rritja ekonomike e vendit ka dhënë gjithashtu shenja ngadalësimi. Sipas Institutit shqiptar të statistikave, Prodhimi i brendshëm bruto zbriti në nivelin 2.2 përqind në tremujorin e dytë, nga 6.5% në tremujorin pararendës. “Reduktimi i rritjes pasqyroi, në masën më të madhe, ngadalësimin e shpejtë të aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe të industrisë. Megjithatë, shenja të ngadalësimit ishin të pranishme edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, shpjegoi guvernatori Sejko.

Për vitin 2022, qeveria i qëndron parashikimeve për një rritje mesatare prej 3.2. Edhe Banka Botërore konfirmoi po këtë parashikim, ndërkohë që rishikoi me ulje vlerësimin e saj për ritmet e rritjes në vitin e ardhshëm, që sipas Bankës Botërore pritet të jetë në nivelin e 2.3 përqind, nga 3.5 përqind që ishte vlerësimi i saj i mëparshëm.

Nga ana e saj Banka e Shqipërisë shprehet se “ekonomia do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes do të jetë disi më i ulët. Përkeqësimi i perspektivës ekonomike në Evropë, ndikimi negativ që çmimet e larta kanë në fuqinë blerëse të familjeve, si dhe reduktimi i stimulit fiskal, pritet të ngadalësojnë konsumin familjar dhe investimet e bizneseve në vijim. Nga ana tjetër, niveli i lartë i depozitave, rritja e punësimit dhe e pagave, rritja e kredisë bankare dhe paketat e rezistencës sociale pritet të sigurojnë mbështetje për bilancet e sektorit privat”.

Banka Qendrore parashikon një inflacion të lartë dhe në gjysmën e dytë të këtij viti, dhe fillimin e uljes së tij gjatë 2023, me parashikimin që të kthehet në objektivin prej 3 përqind në gjysmën e parë të vitit 2024. Për këtë arsye ajo paralajmëroi ndërhyrje të tjera ndaj normës bazë të interesit. “Cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në tremujorët në vazhdim. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit”, nënvizoi guvernatori Sejko./VOA/