I kërkuar në 123 vende të botës, ja ku Putini rrezikon arrestimin

Nga Gianluca Lo Nostro “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Urdhër-arresti i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare më 17 mars kundër Vladimir Putin shënon një pikë kthese:Për herë të parë në historinë bashkëkohore, po hetohet për krime lufte udhëheqësi i një superfuqie bërthamore.

Gjykata e Hagës, arriti të formulojë një aktakuzë publike kundër presidentit të Federatës Ruse, pavarësisht pengesave të shumta për veprimin ligjor të GJNP-së. Në fakt, dështimi i Ukrainës për të ratifikuar Statutin e Romës u duk në fillim si një pengesë.

Por duke iu drejtuar parimit të komplementaritetit, të parashikuar në preambulën e Statutit të Romës, Kievi nisi të mbledhë provat kundër udhëheqjes ruse – që është e shqetësuar për reputacionin ndërkombëtar të Putinit – duke ia dorëzuar kryeprokurorit Karim Khan, të emëruar në 2021 në krye të zyrës që merret me hetimin.

Në dokumentin e publikuar një muaj e gjysmë më parë, Putin dhe komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve Maria Lvova-Belova, dyshohen se janë përgjegjës për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm në Rusi të mbi 20 mijë fëmijëve që banojnë në territoret e pushtuara të Ukrainës, dy krime lufte të ndryshme sipas Konventës së Gjenevës.

“Transferimet e detyruara, në masë apo individuale, si dhe dëbimet e personave të mbrojtur, jashtë territorit të pushtuar dhe në territorin e fuqisë pushtuese apo të çdo shteti tjetër, të pushtuar ose jo, janë të ndaluara, pavarësisht nga arsyeja”- thuhet në nenin 49 të konventës, që e gozhdon Putin dhe Lvova-Belova.

Për më tepër ekzistojnë edhe video, ku të dy shfaqen në shoqërinë e disa të miturve nga Mariupoli, Kherson dhe zona të tjera të pushtuara nga Moska. Një ky fakt i paprecedentë, siç u përmend më të drejtë, pavarësisht se krimi i agresionit mbetet ende i pandëshkuar.

Ai u përfshi në Statutin e Romës vetëm në vitin 2018, dhe për të cilin thuhet se Perëndimi po mendon ngritjen e një gjykatë speciale, me synimin e qartë shfuqizimin e imunitetit që kanë gëzuar deri më sot krerët e shteteve në detyrë. Por çfarë pasojash do të ketë kjo aktakuzë e shkëlqyer? Në praktikë, thuajse asnjë.

Sepse qeveria ruse u tërhoq nga ratifikimi i traktatit në vitin 2016, në kundërpërgjigje të një raporti mbi aneksimin e Krimesë. Kjo lëvizje, pengoi hetimet e mëvonshme mbi ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri. Që një individ të dalë para gjykatës, Statuti i Romës kërkon që shteti

të cilit i përket personi nën hetim të jetë “shteti palë” i traktatit, pra anëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Haga nuk e lejon mundësinë e gjykimit të të pandehurit në mungesë. Prandaj për ta nxjerrë Putinin para drejtësisë ndërkombëtare, do të jetë e nevojshme të lidhej një marrëveshje e veçantë me Kremlinin për ta dorëzuar atë. Por një detaj i vogël:Vladimir Vladimirovich Putin është njeriu që komandon aktualisht Federatën Ruse, ai është “bosi” i Kremlinit.

Askush, përtej lumit Danub nuk ka një pushtet më të madh se ai. Prandaj, do të vendosë vetë për fatin e tij, të paktën për aq kohë sa është president. Kur diktatori jugosllav Slobodan Milosevic u arrestua në vitin 2001, akti ishte dakordësuar me qeverinë serbe, e cila më vonë e ekstradoi atë, edhe duke u përplasur me gjyqtarët vendas që kundërshtonin ekstradimin e tij.

Atëherë si mund të arrestohet Vladimir Putin, të paktën hipotetikisht? Nga 17 marsi, sa herë që lideri rus dëshiron të udhëtojë jashtë vendit për të marrë pjesë në një samit ndërkombëtar apo në një samit dypalësh, ai duhet të ketë parasysh se në çdo shtet që e pranon juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, do të kërkojë që ta arrestojë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (IÇ), e themeluar në vitin 2002, ka 123 vende anëtare të saj, 63 për qind e bashkësisë ndërkombëtare ose gati 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së. Italia dhe 26 vendet e tjera të BE-së janë pjesë e saj, por jo Turqia, Izraeli, India apo Kina, të cilat kanë votuar gjithsesi pro një rezolute të Kombeve të Bashkuara, e cila e njeh “agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe Gjeorgji”.

Shtetet e Bashkuara u larguan nga traktati përpara se ai të hynte në fuqi në vitin 1998,

duke miratuar Aktin e Pushtimit të Hagës në vitin 2002, një dispozitë që i jepte presidentit amerikan të drejtën e diskutueshme për të urdhëruar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve amerikanë të ndaluar nga Gjykata e Hagës.

Uashingtoni ka punuar shumë për të diskredituar dhe kriminalizuar arbitraritetin dhe vetë ekzistencën e kësaj Gjykate. Në vitin 2020, Donald Trump firmosi ​​një urdhër ekzekutiv kundër IÇ, i konsideruar si një “kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane”.

Shtëpia e Bardhë e shfuqizoi atë urdhër një vit më vonë, dhe që kur Joe Biden ka marrë detyrën si president, bashkëpunimi me Hagën nuk ka qenë kurrë kaq konkret dhe konstruktiv. Kongresi ndryshoi rregullat e Aktit të Pushtimit të Hagës, por Pentagoni refuzoi të bashkëpunonte me IÇ-në, sepse duke hyrë në të, Shtetet e Bashkuara mund të dërgonin pa dashje ushtarë, gjeneralë dhe madje edhe politikanë të akuzuar për krime lufte në gjyq.

Duke marrë shkas nga urdhri i arrestit kundër Vladimir Putin, Sekretari i Shtetit Antony Blinken i ka bërë thirrje Evropës që të përmbushë detyrimin për të arrestuar 70-vjeçarin nga Petersburgu. Po sikur për ironi, Putini të shkojë në Shtetet e Bashkuara, çfarë do të ndodhte?

”Nuk dua të flas për këtë skenar, sepse nuk mendoj se ai po planifikon një udhëtim për këtu”- deklaroi nr1. i diplomacisë amerikane, duke zbuluar një siklet shumë të madh dhe të vjetër ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare. I vetmi shtet anëtar evropian i IÇ që ka deklaruar publikisht se nuk dëshiron të arrestojë Putinin është Hungaria e Viktor Orbán.

Por duhet theksuar se përpara se të zbarkonte në Budapest, kreut të Kremlinit do t’i duhej ende të kalonte hapësirën ajrore të Bashkimit Evropian, ku tranziti i avionëve rusë është ndaluar që nga viti 2022. Pastaj është Afrika e Jugut, një vend partner i BRICS, që ndodhet në një pozitë delikate.

Pretoria është pjesë e Gjykatës së Hagës, por është përpjekur ta braktisë atë në të kaluarën. Dhe arsyeja ishte hyrja në vend e diktatorit sudanez Omar Al-Bashir në vitin 2015. Në atë kohë, Afrika e Jugut e lejoi Al-Bashir, i akuzuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të merrte pjesë në një takim të Bashkimit Afrikan.

Presidenti Jacob Zuma nisi procedurat për t’u tërhequr nga Haga, duke hyrë në një përplasje edhe me sistemin gjyqësor jug-afrikan. Kohët e fundit, çështja e pranimit të Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare Penale është bërë sërish urgjentisht aktuale, sepse në gusht provinca e Gauteng do të presë takimin e 15-të vjetor të BRICS.

Prania e Vladimir Putin nuk është konfirmuar. Zëdhënësi i tij Dmitry Peskov ka dhënë për mediat se pjesëmarrja e mundshme e presidentit do të njoftohet disa ditë para samitit. Vetë presidenti i Afrikës së Jugut Cyriil Ramaphosa, njoftoi qëllimin e qeverisë së tij për të rifilluar hapat e tij për të braktisur GJNP.

Por 24 orë më vonë, presidenca  e përgënjeshtroi këtë deklaratë. Shqetësimi është i dukshëm:nëse Putini fluturon për në Gauteng në gusht, Afrika e Jugut do të detyrohet ta arrestojë atë. “Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ta arrestojmë Putinin. Nëse ai vjen këtu, duhet ta bëjmë këtë”- deklaroi në kushte anonimiteti një përfaqësues i qeverisë së Afrikës së Jugut, e cila sipas Sunday Times, ka ngritur tashmë një komitet të posaçëm për të studiuar opsionet për kapjen e tij.

Sërish sipas gazetës së Johanesburgut, Pretoria ia ka ofruar një kompromis aleatit të saj euroaziatik:të marrë pjesë përmes një lidhje me video. Por Moska po tregon dhëmbët. “Arrestimi i Putinit do të ishte një shpallje lufte ndaj Rusisë!”- paralajmëron Dmitry Medvedev, eksponenti kryesor i propagandës ruse të luftës, që ka propozuar bombardimin e Holandës dhe vetë Gjykatës së Hagës. Por a do të jetë vërtet kështu? /albeu.com


Shtuar 3.05.2023 09:33

Tags: