EMRI/ Zbulohet identiteti i 30-vjeçarit shqiptar që u mor peng në Londër nga 7 bashkëkombas, vëllai: na kërkuan 400 mijë paund

Të tjera detaje kanë dalë lidhur me pengmarrjen e të riut shqiptar në Angli.

Nertil Buzi është 30 vjeçari shqiptar i cili u mor peng në Angli dhe pas operacionit të ditës së sotme nga policia britanike, u bë i mundur lirimi i tij.

Ka qenë vëllai i tij nga Fieri ai i cili ka bërë denoncimin për pengmarrjen e 30 vjeçarit, ndërsa ka treguar se pengmarrësit u kishin kërkuar 400 mijë paund në këmbim të lirimit të tij ose në të kundërt do ta vrisnin.

Në pranga kanë rënë shtatë persona që kanë marrë pjesë në këtë pengmarrje që ka ndodhur në Londër të Anglisë. Por ka gjasa që numri i të arrestuarve të rritet. Të gjithë personat e përfshirë janë të njohur si persona me precedentë kriminalë.

Nertil Buzi nuk rezulton të jetë person me precedentë kriminalë, por rezulton të jetë i përfshirë në aktivitetin e shtëpive të barit në Angli.

30 vjeçari është mbajtur për disa ditë i marrë peng dhe gjatë këtyre ditëve është torturuar dhe filmuar. Pengmarrja ka si motiv përplasjen e grupeve kriminale shqiptare në Angli për kultivimin e kanabisit. Prishja e pazareve mes tyre, çoi në këtë pengmarrje.

Policia britanike po merr në pyetje Buzin dhe më pas do të ketë një panoramë edhe më të qartë mbi këtë ngjarje.