“Përfitimi anësor”:A mund ta bëjë më të mirë botën nisja e një lufte të dështuar nga Putin?

Nga Dominique Moïsi “Worldcrunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Koncepti i dëmit anësor është zhvilluar gjatë vazhdimësisë së të ashtuquajturave luftëra “asimetrike”, të zhvilluara midis kundërshtarëve që cilësohen si të pabarabartë. Droni amerikan që synonte të vriste luftëtarët rebelë në Afganistan dhe që bashkë më ta i mori jetën edhe një familje të tërë të mbledhur atë ditë për një martesë, duket të jetë shembulli i përsosur i dëmit anësor: një përfitim i dyshimtë ushtarak dhe një kosto e caktuar politike.

Po ashtu mund të merren si një shembull i tillë edhe bombardimet amerikane ndaj qyteteve franceze në rajonin e Normandisë në prag të zbarkimit të 6 qershorit 1944.

Por a është e mundur të ndryshohet shprehja dhe të flitet për “përfitime anësore”? Kur përdoret për një konflikt të armatosur, kjo shprehje tingëllon makabre.

Sepse askush nuk përfiton nga një luftë, e cila shkakton shumë njerëz të vdekur, të plagosur dhe të shpërngulur, qytete të shkatërruara apo fëmijë të ndarë brutalisht nga prindërit e tyre.

E megjithatë koncepti i “përfitimeve anësore” është veçanërisht i zbatueshëm për luftën në shkallë të gjerë që ka nisur në Ukrainë prej gati një viti. Së pari janë “përfitimet” që duken të dukshme, dhe janë bërë tashmë objekt i shumë komenteve. Dhe ka përfitime të tjera më indirekte, por po aq të rëndësishme, që meritojnë një analizë më të thellë.

Identiteti ukrainas

Ndër përfitimet e dukshme nga kjo luftë është bashkimi i demokracive të pasura përkrah  Ukrainës. Në përpjekje për të neutralizuar dhe madje aneksuar Ukrainën, Putini inkurajoi pa dashje Suedinë dhe Finlandën që t’i bashkoheshin NATO-s, ndërsa e shtyu Gjermaninë dhe Japoninë të rishqyrtojnë me themel politikat e tyre të sigurisë.

Po për shkak të sjelljes së Rusisë, NATO ka dalë nga gjendja e saj kome nëpërmjet ri-gjetjes së misionit të saj origjinal. Ndërkaq, Lufta i ka dhënë mundësi ukrainasve, që përmes gjakut dhe lotëve, të kristalizojnë identitetin e tyre përmes fitoreve reale, në terren, nga veriu në jug dhe në lindje të vendit të tyre.

Sigurisht, do të ishte e thjeshtë të shpjegohej hezitimin aktual të Pekinit dhe Beogradit për të nisur një aventurë ushtarake me shembullin e përvojës ruse. A mundet Kina e Xi Jinping të luftojë në dy fronte njëherësh, kundër Covid-19 brenda vendit dhe kundër Tajvanit, që mbështetet nga aleati i saj i madh, SHBA-ja?

A mundet Serbia, e cila është gjithnjë e më shumë e fokusuar për anëtarësimin në BE pas hyrjes së Kroacisë në eurozonë, të pajtojë ambicien e saj globale me irredentizmin nacionalist? Në të dyja rastet, kundër-shembulli i dhënë nga përvoja ruse në Ukrainë, ndihmon për të ri-forcuar anën e atyre që mendojnë se është urgjente të pritet përpara se të zgjidhet rruga e luftës.

Ne e dimë se si nis një luftë. Por asnjëherë nuk e dimë se kur përfundon dhe në çfarë situate.

Përfitimet nga paqja

Faktori kryesor që e mbron Ballkanin nga rrëshqitja sërish në një luftë nuk është as shpresa e Beogradit për integrimin në BE dhe as lufta në Ukrainë, por kujtimet e afërta të luftërave të përgjakshme në rajon. Për të kuptuar Ballkanin e vitit 2023, ndoshta është e përshtatshme të kujtojmë Spanjën e viteve 1970, vitet para dhe pas vdekjes së gjeneralit Franko.

Filmi i vitit 1966 i Alain Resnais “Lufta ka mbaruar”, parashikoi me saktësi gjendjen shpirtërore të shumicës së spanjollëve. Në Ballkan, imazhet e luftës në Ukrainës zgjojnë tek disa kujtimet e masakrës së Srebrenicës, ndërsa tek disa të tjerë ato të bombardimeve të NATO-s mbi Beograd.

Psikanalisti Boris Cyrulnik, që kur ishte fëmijë i vogël përjetoi tmerret e Luftës së Dytë Botërore, përshkroi në një intervistë radiofonike ndikimin tejet destabilizues të imazheve dhe tingujve të luftës në Ukrainë në psikikën e tij. Atij iu duk sikur e kaluara e tij ishte rishfaqur papritmas, duke e shqetësuar psikologjikisht, por edhe duke e përforcuar bindjen e tij se paqja ishte një mall i çmuar dhe i rrallë. Ajo duhet ruajtur si një thesar, por jo me koston e tradhtisë së vlerave të saj.

Çfarë do të ndodhë me Rusinë nëse humbet në Ukrainë?

Përtej koncepteve të dëmit dhe përfitimeve, ka disa zona në botë ku është më e sigurt të përdoret termi “pasiguri anësore”. Kështu do të ishte joshëse të thuhej se Kina në Azinë Qendrore dhe Turqia në Kaukaz, do të jenë përfitueset e mëdha të dështimeve ushtarake ruse në Ukrainë.

Po ashtu mund të mendohet se ndërsa Rusia ka treguar hendekun e madh midis ambicieve dhe mjeteve që ka në dispozicion, bota do t’i kthehet gradualisht një konfrontimi bipolar më klasik midis dy fuqive të vetme të mëdha: Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Por a mund të jetë përfitimi i fundit anësor nga fushata e dështuar ushtarake e Rusisë në Ukrainë, qartësimi i sistemit ndërkombëtar në bipolaritetin e tij të ri?

Natyrisht, një përfundim i tillë parashikon që disfata ruse “do të shkojë mirë”, dhe nuk do të shoqërohet me tronditje apo përshkallëzime të rrezikshme. Por nuk jemi në vitin 1917 apo 1991. Në vitin 1917, Lufta Civile solli rënien e regjimit carist dhe tërheqjen e Rusisë nga Lufta e Parë Botërore.

Por hyrja e Amerikës në luftë në anën e aleatëve, ndikoi shumë më tepër sesa e kompensoi dështimin rus. Në vitin 1991, Bashkimin Sovjetik i mbijetoi shumë pak kohë rikthimit të Evropës në sferën e demokracisë. Çfarë do të ndodhë këtë vit? Do të ishte shumë optimiste të mendohej se përfituesi kryesor i luftës në Ukrainë do të jetë vetë populli rus, që më në fund mund të zgjedhë lirshëm udhëheqësit e tij. /albeu.com


Shtuar 1.02.2023 18:30