Jo vetëm tangërllëku i çunave dhe gocave me lekë, disa shpjegime shkencore se përse shoferët e rinj janë më të rrezikshëm në rrugë

Kohët e fundit në vend kanë ndodhur një numër i madh aksidentesh me pasoja të rënda, ku drejtues të makinave kanë qenë të rinj. Rrugët, sidomos gjatë sezonit të verës kthehen në pista garash nga të “çmendur” në timon, ndërsa numri i të vdekurve rritet nga dita në ditë.

Ajo që bie në sy ka të bëjë me tangërllëkun dhe papërgjegjshmërinë e fëmijëve të pasur dhe të llastuar të këtij vendi, të cilët vrasin me makinat e tyre.

Shembujt janë të shumtë. Djem dhe vajza me mbështetje të madhe financiare të dyshimta nga pas “shqyejnë” çdo ditë asfaltin e rrugëve në Shqipëri duke i rrezikuar jetën të gjithëve.

Përveç papërgjegjshmërisë së të rinjve, të prindërve të tyre apo edhe të institucioneve shtetërore, ka edhe disa të dhëna shkencore që shpjegojnë se përse shoferët e tinj janë më të prirur për të bërë aksidente, raporton abcnews.al.

Sipas një studimi të kryer nga OECD, shoferët e moshës 18-24 vjeç kanë dy deri në tre herë më shumë rrezik për t’u përfshirë në një aksident në krahasim me shoferët më me përvojë. Kur në këto aksidente vdes një shofer i ri, bashkë me të vdesin mesatarisht  1.3 persona që ndodhen në makinë, në një mjet tjetër ose në vendin e aksidentit.

Aksidentet nga drejtuesit e rinj janë të ndryshëm nga ato të drejtuesve më me përvojë, pasi ndodhin gjatë natës me ose pa përfshirjen e një automjeti tjetër dhe janë thjesht për shkak të mungesës së përvojës.

Shkaktarët më të rëndësishëm të aksidenteve janë mungesa e kontrollit të makinës dhe shpejtësia e lartë.

Edhe konsumimi i alkoolit në sasi të vogla ka një ndikim më të madh tek të rinjtë sesa tek shoferët me përvojë. Dhe sigurisht duhet theksuar se aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve për njerëzit e moshës 18 deri në 24 vjeç në vendet e OECD.

Faktorët kryesorë që ekspozojnë drejtuesit e rinj ndaj këtij rreziku janë papjekuria, mungesa e përvojës, disa probleme shëndetësore të drejtuesve të mjeteve, por edhe mënyra e jetesës që lidhet me moshën dhe gjininë e drejtuesve të rinj, si qëndrimi vonë gjatë natës dhe lodhja fizike. Nga ana tjetër, vlen të përmendet se të rinjtë shpesh kanë një vetësiguri të rrezikshme sa i përket aftësive të tyre për drejtimin e makinës, raporton abcnews.al.

Faktoret e rrezikut

Hulumtimet biologjike tregojnë se në moshën 18 vjeçare vazhdojnë të zhvillohen zonat e trurit të njeriut që janë përgjegjëse për integrimin e informacionit dhe kontrollin e impulseve.

Kjo ka si pasojë zhvillimin e tyre biologjik, por edhe në një masë shumë të madhe zhvillimin e tyre shoqëror. Një element i rëndësishëm është se zakonisht në këtë moshë ata largohen nga ndikimet e prindërve dhe fitojnë më shumë pavarësi. Si rezultat, bashkëmoshatarët po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm për ta, veçanërisht në zgjedhjet e stilit të jetesës.

Drejtuesit e rinj shpesh ngasin në orë me rrezik të lartë dhe në kushte me rrezik të lartë. Pra, ata ngasin natën, kanë shpejtësi të shtuar, nuk vendosin rripat e sigurimit.

Problemet e fillestarëve

Sigurisht, të mësuarit të makinës kërkon shumë praktikë përpara se të arrini nivele të larta. Për krahasim, aftësitë e drejtimit janë relativisht të lehta për t’u zotëruar në vetëm disa orë, por aftësi të tilla si parashikimi i situatave potencialisht të rrezikshme të trafikut kërkojnë vite praktikë.

Kërkesat e mjedisit rrugor janë të mëdha dhe duhet të ketë planifikim dhe modifikime të rrugës në varësi të të dhënave dhe situatave.

Drejtuesit e papërvojë duhet së pari të tregohen më të kujdesshëm në mënyrë që të kompensojnë mungesën e përvojës së tyre. Në realitet, megjithatë, është e kundërta dhe të rinjtë zakonisht tregohen më pak të kujdesshëm, për faktin se kjo grupmoshë priret të mbivlerësojë aftësitë e tyre dhe të nënvlerësojë kompleksitetin e situatës së trafikut.

Shoferët e rinj shpesh kanë probleme me drejtimin e automjetit, për shkak të përdorimit të alkoolit dhe drogës, lodhjes dhe shpërqendrimit. Krahasuar me shoferët me përvojë, alkooli ul shumë performancën e shoferit të ri.

Përdorimi i drogës po rritet në këtë grupmoshë, duke rezultuar në rritje të rrezikut për aksidente. Në veçanti, përdorimi i kombinuar i drogës dhe alkoolit çon në rrezik jashtëzakonisht të lartë të aksidenteve.

Të rinjtë ndikohen fuqishëm edhe nga mungesa e gjumit, kohëzgjatja e punës, etj. Këta faktorë çojnë në lodhje të shtuar, e cila mund të njihet si humbje energjie, reduktim i reagimit dhe rritje të mundësive për të fjetur në timon.

Shpërqëndrimi si shkak i gabimeve në drejtimin e automjetit është më i dukshëm për fillestarët sesa për ata më me përvojë. Përveç kësaj, të rinjtë shpesh përdorin celularin, gjë që ua pakëson vëmendjen gjatë drejtimit të automjetit.

*Ky është artikull ekskluziv i Abcnews.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Abcnews.al” bashkë me linkun e artikullit origjinal. Çdo ripublikim në formë tjetër quhet vjedhje dhe do të ndiqet sipas përcaktimeve ligjore./abcnews.al