Tentoi të vriste Shabanin duke qëlluar me breshëri ndaj BMW-së, Apeli shpall të pafajshëm Bardhok Nokën

Bardhok Noka i dënuar më parë me 14 vjet heqje lirie, është lënë i lirë nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Mësohet se në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare Edlira Petri dhe anëtarë Valdete Hoxha dhe Genti Shala vendosi ndryshim të vendimit të Gjykatës së Kurbinit dhe deklarimin të pafajshëm të Bardhok Nokës.

Më datë 10.05.2021, Gjykata e Kurbinit e shpalli fajtor Bardhok Nakën: për kryerjen e veprës penale “ Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 e 22 i K.Penal, dënimin me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.

– Për kryerjen e veprës penale “ Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal, dënimin me 5 (pesë) vjet burgim.

-Në aplikim të nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve caktimin ndaj të pandehurit të një dënimi të vetëm prej 14 (katërmbëdhjetë ) vite burgim.

FNSH arrestoi Bardhok Nokën, mbrëmjen e 3 qershorit 2020, përmes një operacioni në kushte të larta sigurie një person të shumë kërkuar në Laç.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me policinë e Laçit, e cila kishte informacione për vendin ku fshihej i shumë kërkuari.

Ngjarja më e rëndë sipas policisë është ajo e 29 prillit të 2020, ku Bardhok Noka dhe një tjetër person akuzoheshin se kanë qëlluar me armë zjarri ndaj një makine tip BMW me qëllim vrasjen e personave që ndodheshin aty.

Për fat të mirë, objektivi shpëtoi. Akuza e dytë lidhet me armëmbajtjen pa leje nga ana e Nokës, e cila ka të bëjë sërish me këtë ngjarje.