Jo vetëm Rusia, një tjetër gjigant po humb në Ukrainë

Nga Minxin Pei “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një vit më parë, “miqësia pakufishme” e shpallur nga presidenti kinez Xi Jinping me presidentin rus Vladimir Putin u pa nga shumë njerëz në Pekin si një arritje diplomatike e shkëlqyer. Të bashkuar në frikën dhe pakënaqësinë e tyre ndaj fuqisë së SHBA-së, udhëheqësit kinezë dhe rusë duket se kishin arritur një partneritet që mund të kundërshtonte në mënyrë efektive Uashingtonin dhe aleatët e tij.

Megjithatë, ndoshta Xi nuk e priste që Putini të pushtonte Ukrainën përpara se të thahej boja e “Deklaratës së tyre të Përbashkët mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare”. Dinamika gjeopolitike e krijuar nga lufta që nga ajo kohë, i ka përmbysur përllogaritjet strategjike të liderit kinez.

Ndërkohë përfitimet e parashikuara të një aleance kino-ruse mund të mos materializohen kurrë në realitet. Kina mund të mos jetë e angazhuar direkt në luftën në Ukrainë. E megjithatë ajo sërish po humbet. Ndalemi pak tek argumentet, duke përfshirë ato që japin edhe analistë të shquar në Rusi, që thonë se Kina ka përfituar avantazhe të mëdha strategjike nga lufta e agresionit të Putinit.

Së pari, ata theksojnë se një Rusi e dobësuar nga lufta dhe sanksionet perëndimore është sot më e varur se kurrë nga Kina. Përveç kësaj, ata pretendojnë se konflikti në Ukrainë ka treguar një shpërqendrim të kushtueshëm për SHBA-në, si në aspektin e vëmendjes po ashtu edhe të ndihmës (e cila ka arritur në mbi 100 miliardë dollarë).

Situata të kujton vitet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Në atë kohë, administrata e George W.Bush synonte gjithashtu që të përballej me Kinën, të cilën e kishte etiketuar një “konkurrente strategjike”. Më pas, pushtimi problematik i SHBA-së në Irak dhe ngërçi që pasoi në Afganistan harxhuan një pjesë të mirë të energjisë së politikë-bërësve në Uashington.

Kina pati një hapësirë mundësish strategjike që zgjati gati dy dekada. Por që të dyja argumentet kanë të metat e tyre. Është e vërtetë se varësia e Rusisë nga Kina ka të ngjarë të rritet nëse Vladimir Putini do të mbetet në pushtet.

Por askush nuk duhet të presë që aleanca strategjike Kinë-Rusi të vazhdojë pasi Putin, tashmë 70 vjeç, të largohet nga skena politike. Diçka që me siguri do të ndodhë brenda 2 dekadave të ardhshme, në mos shumë më shpejt.

Për më tepër, një Rusi e dobësuar nuk ka gjasa të ketë mundësi të vazhdojë një luftë të gjatë, prandaj aftësia e saj për ta shpërqendruar SHBA-në mund të jetë e shkurtër. Për më tepër në çdo rast, Shtetet e Bashkuara nuk do të bëjnë dy herë të njëjtin gabim strategjik.

Në retrospektivë, mund të thuhet se administrata e presidentit George W.Bush gaboi për shkak të supozimeve të saj tepër optimiste. Si superfuqia e vetme në botë, Amerika mund

ta bënte Irakun një “shëtitje të shkurtër”, dhe më pas të rikthehej shpejt në biznesin e papërfunduar të frenimit të Kinës, e cila në atë kohë kishte një PBB sa afro 1/8 e PBB-së së Amerikës.

Sot që ekonomia e Kinës është sa 3/4 e asaj të SHBA-së, udhëheqësit amerikanë nuk kanë më luksin që ta injorojnë rivalin e tyre kryesor. Tonet e larta dypartiake të revoltës për balonën spiune kineze që u pikas në qiejt e SHBA-së, janë një dëshmi e qartë se sa i përqendruar mbetet establishmenti politik amerikan në lidhje me këtë sfidë.

Nëse përfitimet nga lufta e Vladimir Putinit janë të vështira për t’u dalluar, çmimi që ka paguar Kina për qëndrimin e saj është real dhe thelbësor. Në nivelin strategjik, partneriteti Kinë-Rusi i ka shkaktuar dëme të pariparueshme lidhjeve të Kinës me Evropën.

Para luftës, Kina mund të kishte pasur një shans realist për t’i mbajtur të distancuara vendet e mëdha evropiane në raport me rivalitetin e saj në rritje me SHBA-në. Por sapo Rusia sulmoi Ukrainën 1 vit më parë, vendet evropiane e panë në mënyrë logjike Kinën si bashkëpunëtore në agresionin e Rusisë.

Në të njëjtën kohë, mbështetja e palëkundur e Uashingtonit për Ukrainën, ka treguar edhe një herë rolin e tij të domosdoshëm në paqen dhe sigurinë e Evropës. Lufta e ka afruar më shumë Bashkimin Evropian me SHBA-në dhe e ka larguar më shumë nga Kina.

Po ashtu, pushtimi rus i Ukrainës e ka minuar pozicionin e Kinës ndaj Tajvanit. Para shpërthimit të luftës në Ukrainë, shumë pak ekspertë shihnin si të mundshëm një sulm të paprovokuar të Kinës ndaj ishullit rebel. Agresioni i Putinit e përshkallëzoi frikën se e njëjta katastrofë e paimagjinueshme mund t’i ndodhë Tajvanit.

Se sa realiste janë ankthe të tilla, kjo gjë ka shumë pak rëndësi. Ndërkohë vëmendja e madhe ndaj fatit të Tajvanit ka qenë jashtëzakonisht e dëmshme për interesat e Kinës. Perëndimorët kanë qenë shumë të entuziazmuar që të tregojnë mbështetjen e tyre, e kanë forcuar dukshmërinë dhe statusin ndërkombëtar të Tajvanit, të cilin Kina ka punuar pa u lodhur për t’a mohuar. Ç’është më e keqja, perspektiva e luftës në Ngushticën e Tajvanit i ka forcuar përpjekjet e SHBA-së për të forcuar Tajvanin ushtarakisht dhe diplomatikisht, duke e dobësuar më tej politikën e saj “të një Kine”.

Frika e një pushtimi të mundshëm kinez të Tajvanit, e ka nxitur ndërkohë Japoninë të dyfishojë shpenzimet ushtarake për 5 vitet e ardhshme. Një ndryshim politik, të cilin udhëheqësit e zgjuar kinezë nuk duan që ta shohin.

Në këto kushte, ndryshimi i qëndrimit të Evropës ndaj Kinës dhe perspektiva e një lufte midis Kinës kontinentale dhe Tajvanit, sigurisht do ta shkatërrojë tregtinë globale, sepse i kanë injektuar një vrull urgjent dhe të fuqishëm procesit të “shkëputjes ekonomike” të Perëndimit nga Kina.

Drejtuesit e alarmuar të korporatave, nuk kanë më nevojë për inkurajim nga “skifterët” anti- kinezë të Uashingtonit që të reduktojnë varësinë e tyre nga zinxhirët e furnizimit me bazë në Kinën kontinentale. Kostot strategjike dhe ekonomike për Kinën vetëm sa do të rriten. Xi Jinping nuk ka alternativë tjetër veçse të qëndrojë në krah të Putinin.

Braktisja e tij në këto momente, do të shihej në Moskë si një tradhti e pafalshme, teksa do të kishte një efekt periferik në rregullimin e lidhjeve me Evropën. Po ashtu, tërheqja e mbështetjes kineze për Putinin mund të përshpejtojë humbjen e këtij të fundit në Ukrainë, gjë që do t’i lejonte SHBA-së ta përqendronte më shpejt vëmendjen e saj tek rivaliteti me Kinën. Xi është bllokuar në një dilemë strategjike, në mëshirën e ngjarjeve. Strategjia e tij dikur mjeshtërore po duket gjithnjë e më shumë si një bast i humbur. /albeu.com

 

 


Shtuar 24.02.2023 13:55

Tags: