Lajçak në Mitrovicën e Veriut: Nuk mund të ketë më barrikada

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e së enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.

“Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale… Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në Mitrovicën e Veriut.

Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet.

Lajçak, po ashtu, nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që të shtyjë edhe një herë zbatimin e vendimit – për tre muaj të tjerë, siç u spekulua në disa media në Kosovë.

“Ka aq shumë spekulime rreth këtij procesi, nuk dua të futem në to”, tha ai.

Diplomati evropian nuk komentoi as deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nga 1 shtatori do të nisë zbatimi i vendimeve për targa dhe dokumente udhëtimi, por tha se “po punohet që të mos ketë barrikada”.

“Unë jam optimist, duhet të jem optimist. Ne duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale dhe e zakonshme”, tha Lajçak.

Escobar tha shkurtimisht se “misioni vazhdon në Beograd” dhe se ai shpreson të bëjë një deklaratë në Beograd – sot më vonë ose nesër.

As Lista Serbe – subjekti më i madh serb në Kosovë, përfaqësues të të cilit morën pjesë në takim – nuk u prononcua për media.

Escobar dhe Lajçak nisën vizitën në Kosovë më 23 gusht. Ata takuan fillimisht presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Qëllim i vizitës së tyre u tha të jetë evitimi i përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Disa serbë atje u rebeluan më 31 korrik, pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për riregjistrimin e makinave të tyre – nga targat që i lëshon Serbia me targa të Kosovës – si dhe për lëshimin e dokumenteve të Kosovës për të gjithë serbët që hyjnë në Kosovë.

Pas tensionimit të situatës dhe sugjerimit të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin e vendimeve të saj për 1 shtator.

Escobar tha të mërkurën – pas takimit me udhëheqësit institucionalë dhe të partive opozitare në Prishtinë – se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe të dokumenteve serbe.

Ai tha se është siguruar se askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës apo dhunë më 1 shtator. Lajçak e tha të njëjtën gjë.

Përfaqësuesit e serbëve nga katër komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – miratuan të mërkurën një deklaratë, përmes së cilës, paralajmëruan braktisjen e mundshme të institucioneve të Kosovës, nëse nuk gjendet zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje.

Ata thanë se ia kanë lënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “ta zgjidhë çështjen me kompromis”.

Gjithashtu të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një konferencë për media se targat KS – neutrale ndaj statusit të Kosovës – nuk mund të kthehen, ashtu siç kërkon Beogradi.

Ai përsëriti se automjetet me këto targa do të duhet të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.

Sa u përket dokumenteve për hyrje/dalje, Kurti tha se alternativa më e mirë do të ishte heqja e plotë e tyre, si për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi, ashtu edhe për qytetarët serbë kur hyjnë në Kosovë.

Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë sot për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiq u takuan më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa arritur ndonjë rezultat konkret./REL