Shqipëria në rrezik, DailyExpress: Irani mund të godasë me raketa dhe dronë kampin e muxhahedinëve në Manëz

Kërcënimet nga Irani për vendin tonë sa vjen e po bëhen gjithnjë e më prezente.

Kjo për shkak të strehimit të anëtarëve të opozitës iraniane në Shqipëri.

Kujtojmë se pikërisht nga frika e sulmeve, u anulua edhe konferenca e opozitarëve iranianë në kampin “Ashraf 3” në Manëz të Durrësit.

Së fundmi ka qenë media britanike Daily Express, që i ka dedikuar një artikull të veçantë çështjes së kërcënimit që i vjen Shqipërisë nga Irani si pasojë e strehimit të opozitës MEK.

Ka qenë e para Agjencia iraniane e lajmeve Fars që ka bërë thirrje për shënjestrimin e grupit në Evropë përmes përdorimit të raketave balistike dhe dronëve, por Daily Express nuk përmend emrin e ndonjë drejtuesi të lartë të Republikës Islamike, të cilit mund t’i jetë referuar agjencia vendase e lajmeve.

Kampi Ashraf 3 Ne Manze Ku Jetojne Rreth 3 Mije Muxhahedine

Artikulli me thirrje për sulm ndaj Shqipërisë nuk është i vetmi i publikuar nga mediat iraniane.

Kjo, pasi në shtator të vitit 2016 Agjencia shtetërore Iraniane e Lajmeve, “ParsToday” paralajmëroi Shqipërinë se ndodhet në prag lufte, për shkak të pranimit të grupit të muxhahedinëve, të shpallur armiq nga Teherani.

Agjencia e krahasonte pranimin e muxhahedinëve nga Shqipëria, të njëjtë me “vendosjen e izraelitëve në Palestinë në shekullin e kaluar”.

“Nuk është problemi i një grupimi njerëzish, etnie, rrace, feje. Absolutisht jo. Çështja është se muxhahidinët janë armiq të shtetit të Iranit“, shkruante Pars Today.

Artikulli i Daily Express:

Me bazë në Shqipëri pranë qytetit të Durrësit, kampi i gjerë i njohur si “Ashraf 3” është shtëpia e të mërguarve iranianë, të cilët besohet se po marrin trajnime ushtarake në atë vend.

Përpjekjet e mëparshme të mediave perëndimore, duke përfshirë vetë Channel 4 të Britanisë për të vizituar kampin, kanë hasur në reagim të ashpër pasi rojet private të sigurisë dhe anëtarët e kultit nxitojnë të largohen nga çdo vëmendje mediatike, duke thyer pajisjet në proces dhe duke akuzuar çdo joanëtar, sikur të ishin agjentë iranianë.

Artikulli i agjencisë së lajmeve Fars shtroi disa pretendime, duke përfshirë atë se 17,000 njerëz u vranë si rezultat i veprimeve të MEK.

Irani përsërit se ka të drejtë të mbrohet dhe sipas tyre do të ishte e justifikuar nëse “përdorim fuqi të lartë kundër terroristëve”.

“Aftësitë e dronëve të sulmit dhe raketave balistike të Iranit mund të përdoren për të goditur qendrën e MEK në Shqipëri pa asnjë pengesë ligjore”, thuhet më tej në artikullin e Fars, të cilit i referohet Daily Express.

Shqipëria megjithatë është një anëtare e NATO-s dhe sipas udhëzimeve të nenit 5 të aleancës, një goditje e tillë mund të rezultojë në marrjen e kundërmasave ndaj Teheranit.

Ndërkohë, artikulli i “Fars” vazhdoi gjithashtu duke përmendur kombe të tjera evropiane që presin anëtarë të MEK.

“Nëse qeveritë pritëse refuzojnë të dëbojnë dhe ekstradojnë hipokritët (një term i përdorur nga Teherani për MEK), ata duhet të kërcënohen me veprime reciproke… bazuar në doktrinën e Republikës Islamike për të luftuar kërcënimet e sigurisë në burimin e tyre”, thuhet më tej në shkrimin e agjencsë iraniane.

Artikulli i tyre vazhdon duke cituar parimin e “Përgjegjësisë për të mbrojtur kombin dhe nenin 51 të Kartës së OKB-së, i cili lejon veprimin ushtarak për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Grupi MEK gjithashtu ka kërkuar reagim nga sistemi i drejtësisë suedeze kohët e fundit, duke akuzuar ish-gardianin iranian të burgut Hamid Nouri për krime lufte dhe vrasje ndërsa ai punonte në burgun Evin të Teheranit.

Irani pretendon se Nouri është arrestuar në mënyrë të paligjshme nga Suedia dhe sugjeron se gjyqi është i paligjshëm.

Deri më sot, Irani ka përdorur vetëm një sulm me raketa kundër një objektivi perëndimor, përkatësisht në Irak kundër bazave ajrore amerikane pas vrasjes së komandantit të lartë iranian, gjenerallejtënant Qasem Soleimani.

Në sulm, baza ajrore Al-Asad në provincën Anbar të Irakut u godit 17 herë, përfshirë nga dy raketa balistike që nuk arritën të shpërthejnë, sipas qeverisë irakiane. Pesë raketa të tjera u shënjestruan në një bazë në qytetin verior të Erbilit gjatë sulmit.

Tensioni mbetet i lartë midis Iranit dhe SHBA-ve pas vrasjes së gjeneral Soleimani dhe tërheqjes së SHBA nga Marrëveshja Bërthamore e Iranit, e njohur edhe si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit ose JCPOA.

Përpjekjet për të rindezur marrëveshjen kanë ngecur muajt e fundit, me disa raunde bisedimesh që përfunduan me ngërç në Vjenë.

Katari ka ofruar të ndërhyjë dhe të ndërmjetësojë bisedimet e mëtejshme, megjithatë, të dyja palët mbeten në mosmarrëveshje mbi termat dhe kushtet që lejojnë SHBA-të të ribashkohet.

Sanksionet e ashpra ekonomike kundër Iranit u zbatuan më tej këtë javë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.