Afrimi me Kinën do t’i kushtojë jo pak Emannuel Macron

Nga Nicolas Tenzer “Center for European Policy Analysis

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë vizitës së tij të pak ditëve më parë në Kinë, presidenti francez Emmanuel Macron tregoi dukshëm indiferencë ndaj fatit të Tajvanit. Madje e akuzoi SHBA-në për nxitjen e tensioneve. Fjalët e Macron bënë jo pak përshtypje, sepse nuk ishin as të pritshme e as të kërkuara.

Tani asnjë udhëheqës evropian nuk do të jetë në gjendje të shprehë indiferencë për Tajvanin, apo të imagjinojë një rrugë të tretë midis Amerikës dhe Kinës. Ashtu si me flirtin e kotë të presidentit francez para pushtimit të Ukrainës me Rusinë e Vladimir Putinit, ai ka krijuar përshtypjen e një lidhjeje me një konceptim strategjik të vjetruar, këtë herë me Kinën.

Duket se Macron i jep shpeshherë përparësi “fuqive të mëdha” mbi kombet e tjera. Ai nuk e vizitoi asnjëherë Kievin deri disa ditë para pushtimit rus. Tani po fajësohet se vlerëson Republikën Popullore të Kinës më shumë se sa Tajvanin, vendin e tetë më demokratik në botë sipas britanikes “The Economist”.

Koncepti i tij i nënkuptuar për një hierarki midis vendeve, shpjegon edhe arsyen pse ai i kushtoi pak vëmendje paralajmërimeve të dikurshme për Rusinë e Putinit, të bëra jo rrallëherë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe nga shumë ekspertë në vend.

Presidenti francez përqafon idenë se vendet kanë më shumë rëndësi se sa regjimet, gjë që në rastin e Rusisë e nxiti atë të refuzonte të merrte në konsideratë rreziqet e sigurisë që lidhen me ideologjinë revizioniste dhe shkatërruese të Putinit.

Pasi u paraqit si një mbrojtës i lirisë në një fjalim të vitit 2017 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe pasi theksoi në vitin në 2018, se të drejtat e njeriut janë universale dhe jo kulturore, ai ka bërë shumë pak për t’i mbrojtur këto vlera nga diktatorët. Macron pretendon se është e mundur që t’i vëmë diktaturat kundër njëra-tjetrës.

Në fillim të mandatit të tij të parë, ai u afrua me Rusinë e Putinit për t’iu kundërvënë Kinës, dhe për të parandaluar rënien e Kremlinit në prehrin e saj. Tani ai mendon se është e mundur të ecet përpara me Kinën me të ashtuquajturin planin e saj të paqes për Ukrainën.

Por Ukraina nuk ka nevojë për një ndërmjetës. Ajo ka nevojë vetëm për aleatë që ta ndihmojnë të mposhtë pushtimin kriminal të Rusisë. Kina ka arsyet e veta që të mbështesë Putinin. Një ndryshim i regjimit do ta frikësonte Xi Jinping nga përhapja e valës demokratike. Kontrolli kinez mbi Rusinë – dhe Azinë Qendrore – do të jetë më i lehtë nëse Rusia udhëhiqet nga një regjim diktatorial.

Një Rusi e lirë, e ndihmuar nga demokracitë, do të ishte pre më e vështirë. Së fundi, Kina ka nevojë për regjimin e Putinit për të formuar një aleancë ‘ad hoc’ të fuqive revizioniste, m synim minimin e rendit aktual ndërkombëtar dhe liritë themelore. Deklarata e presidentit francez kërcënojnë të sjellin pasoja të rrezikshme.

Së pari, siç theksoi dekani i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Qendrën Marshall, Andreë Michta , ato nxisin ndjenja anti-evropiane në Kongresin e SHBA-së, të cilat mund të nxitin zvogëlimin e angazhimin e Uashingtonit në Ukrainë. Duke nënvizuar “mosmirënjohjen” e supozuar të presidentit francez, kongresmenët anti-evropianë synojnë që t’i japin përparësi ekskluzive Azisë.

Por një distancim i Amerikës nga Evropa është një lëvizje tepër e rrezikshme. Siguria e Evropës është thelbësore për interesin kombëtar të SHBA-së, sepse Rusia dhe Kina përbëjnë së bashku një kërcënim global për demokracinë. Nuk është çudi që organet e propagandës ruse dhe kineze janë kënaqur shumë duke i bërë jehonë deklaratave të Macron, në përpjekje për të krijuar të çara midis Evropës dhe SHBA-së dhe midis vetë vendeve evropiane.

Së dyti, ndërsa deklaratat e presidentit francez synonin me të drejtë të pohonin nevojën për të forcuar mbrojtjen evropiane, paqartësitë e mëparshme mbi Rusinë dhe ato aktuale mbi Kinën, ato mund t’i dobësojnë edhe përpjekjet afatgjata të Evropës në fushën e sigurisë. Disa partnerë të BE-së, sidomos Polonia , duket se janë të tunduara ta bazojnë mbrojtjen evropiane vetëm tek lidhjet e ngushta me SHBA-në.

E megjithatë, gafat verbale të presidentit francez përfaqësojnë paradoksalisht një shans që Evropa të forcojë aleancën transatlantike, pa e minuar angazhimin e fortë të Evropës për mbrojtjen e saj. Tani kontinenti mund dhe duhet të pohojë pa mëdyshje se karakteri demokratik i një shteti, dikton botëkuptimin tonë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo është po aq e vërtetë për Ukrainën dhe Moldavinë sa edhe për Tajvanin. Ishulli është sot e vetmja Kinë demokratike. Institucionet e tij janë të lira; rotacioni politik është i mundur; dhe shoqëria tajvaneze është moderne dhe e përkushtuar ndaj lirive njerëzore.

Në rast se lejojmë zhdukjen e një demokracie, kjo gjë do të dërgonte një argument të fortë për diktaturat në lidhje me mospërputhjen dhe mungesën e shtyllës kurrizore të demokracive. Ndërkohë Tajvani është një vend shumë strategjik.

Rreth gjysma e flotës globale të kontejnerëve kalon përmes Ngushticës së Tajvanit. Ishulli luan një rol të domosdoshëm në furnizimin më gjysmëpërçues:prodhon 59 për qind të tregut botëror, kundrejt 12 për qind nga SHBA dhe 10 për qind nga Evropa.

Nëse Evropa synon ta kufizojë varësinë e saj nga Kina, atëherë Tajvani përfaqëson një mundësi të madhe. Tashmë, shenjat pozitive janë të dukshme. Franca veproi për të siguruar aleatët e saj duke dërguar një fregatë për të patrulluar Ngushticën e Tajvanit gjatë stërvitjeve më të fundit ushtarake kineze.

Iluzionet në lidhje me kërkimin nga Evropës të një autonomi strategjike – një koncept me shumë kuptime – janë zhdukur. Pas vizitës në Kinë, presidenti francez dhe këshilltarët e tij u munduan të justifikohen se nuk mund të ketë një politikë të baraslarguar midis Rusisë dhe Kinës, dhe se ata janë ende pro statuskuosë në lidhje me Tajvanin.

Pavarësisht dallimeve të rëndësishme që e ndajnë Evropën dhe SHBA-në në fushën e tregtisë,  sidomos Akti i Reduktimit të Inflacionit, apo edhe në disa çështje të politikës së jashtme – si Lufta e dytë e Gjirit në vitin 2003 – Evropa e kupton se lidhjet transatlantike mbeten thelbësore kur përballen me kërcënime ekzistenciale të sigurisë.

Koncepti i përdorur shpesh nga presidenti francez i krijimit të një “fuqie balancuese”, nuk ka asnjë rëndësi në përmbushjen e kërcënimeve të tilla. Vullneti ynë i përbashkët për të siguruar fitoren e Ukrainës dhe humbjen totale të Rusisë, përbën një provë që aleatët tanë në Azi do të na vëzhgojnë me kujdes sesi sillemi.  /albeu.com

Shënim:Nicolas Tenzer, anëtar i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) dhe profesor në Shkollën e Parisit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.


Shtuar 20.04.2023 14:14