Laboratori për prodhimin e dokumenteve false, lihen në burg 3 të arrestuarit në Korçë

Gjykata e Korçës ka dhene  masën e sigurisë “arrest me burg” për tre korçarët, të cilët akuzohen se falsifikonin dokumente të ndryshme duke nisur  nga kartat e identitetit  deri tek pasaporta amerikane apo të vendeve të BE-së.

Arrest me burg është dhënë për 3 shtetasit Artur Rakip, Thanas Sholla dhe Besnik Dine, të arrestuar më 22 korrik 2023.

Për dy shtetasit e fundit seanca u zhvillua dje ndërsa për shtetasin Artur Rakip me precedent të mëparshëm penal në fushën e falsifikimit të dokumenteve, seanca u mbajt sot.

Këta shtetas u arrestuan pas një hetimi 5-mujor, operacion ky që shërben për goditjen e falsifikimit të dokumenteve me qëllim parandalimin e migrimit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kanadasë dhe në hapësirën SCHENGEN.

Në laboratorin që ndodhej në banesën e njërit prej të arrestuarve janë sekuestruar dokumente të falsifikuara përfshirë këtu pasaporta dhe karta identiteti , shqiptare dhe të vendeve të BE.

Laboratori mësohet se ndodhej në qendër të qytetit të Korçës, ndërsa janë kryer kontrolle banesash dhe mjetesh që dispononin të arrestuarit.

Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, kundrejt pagesave të konsiderueshme nga 300 euro deri në 10000 euro, prodhonin dhe ju shisnin personave të interesuar, shqiptarë dhe shtetas nga vendet e treta, dokumente shqiptare dhe të huaja, të falsifikuara, për të udhëtuar në hapsirën SCHENGEN, Shba, Kanada, Angli etj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme dokumentesh të huaja dhe shqiptare të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, leje qendrimi, leje drejtimi, diploma shkolle); fotokopje dokumentesh të huaja; pajisje kompjuterike; makineri prodhimi dhe plastifikimi; vula, simbole, emblema të shteteve të huaja; automjete; shuma parash të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.

/albeu.com/


Shtuar 24.07.2023 12:12