Dokumentetet e klasifikuara sekrete në zyrën jopresidenciale të Biden, kush është prokurori që do të hetojë nëse dosjet janë keqpërdorur

Ekipi ligjor i Presidentit  të SHBA-ve, Joe Biden ka zbuluar dokumente të tjera të klasifikuara në një vend tjetër, pas atyre që u gjetën para disa ditësh në një zyrë ku Biden kishte punuar pas mandatit si nënpresident.

Gjetja e dokumentave ka ngjallur reagime të shumta megjithëse Biden ka thënë se ishte befasuar nga gjetja e tyre dhe se ekipi i tij kishte ndërmarrë veprimet e duhura në përgjigje të situatës.

BBC raporton se tashmë do të nisin hetimet, nëse Biden keqpërdor dosjet e klasifikuara, njofton Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Mësohet se, Robert Hur, një prokuror që ka punuar për terrorizmin dhe mashtrimin e korporatave, do të udhëheqë hetimin, konfirmon Garland.

Hur ka shërbyer si prokuror qarku i SHBA-së midis roleve të tjera të profilit të lartë.

“Unë do të siguroj që Hur të marrë të gjitha burimet që i nevojiten për të kryer punën e tij,” thotë Garland.

Kujtojmë se në fillim të kësaj jave, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë po shqyrtonte “një numër të vogël dokumentesh të klasifikuara” të gjetura në zyrat e Qendrës Penn Biden, që Biden i kishte përdorur pasi shërbeu si nënpresident nga viti 2017 deri pak para se të niste fushatën presidenciale në 2019.

Fakti që dokumente të klasifikuara u gjetën në ambjente jopresidenciale, mund të shkaktojë shqetësime për presidentin, i cili e ka quajtur vendimin e ish-presidentit Donald Trump për të mbajtur qindra dokumenta të tilla në Mar-a-Lago “të papërgjegjshëm. ”

Kjo mund të ndërlikojë gjithashtu vendimin e Departamentit të Drejtësisë nëse do të ngrejë ose jo akuza kundër republikanit Trump, i cili ka pretenduar vazhdimisht se hetimi i departamentit për veprimet e tij përbënte “korrupsion”.