Rusët i pret belaja, si po përgatitet Ukraina për kundërofensivën e saj të madhe të pranverës

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Më 2 shtator 1941 Britania shpalli javën e “Tankeve për Rusinë”, kur fabrikat do të prodhonin këto mjete për aleatin që do të “zmbrapste pushtuesit e egër”. Gruaja e ambasadorit sovjetik në Londër e pagëzoi me emrin “Stalin” tankun e parë që u prodhua ato ditë.

Tanku i parë “Leopard” që mbërriti në Ukrainë si dhuratë nga Polonia në muajin shkurt nuk ka një emër simbolik. Por ai është pararoja e një arsenali të madh, që pritet të mbërrijë shumë shpejt në Ukrainë. Ndërsa tani të gjithë sytë janë në betejën për qytetin lindor, Bakhmut, shumë shpejt vëmendja do të kthehet tek kundërofensiva e pritshme ukrainase që mund të fillojë që në muajin prill.

Tanku “Leopard” i prodhimit gjerman, ka qenë në qendër të debateve të ndërlikuara midis partnerëve të Ukrainës. Më 25 janar, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i dha fund diskutimeve duke premtuar se do të dërgonte “Leopard 2a6”, një variant më të përparuar. Shumëkush mendoi se ajo deklarate do të pasohej nga një lumë donacionesh nga dhjetëra vende të tjera evropiane që kanë tanke të tillë në arsenalin e tyre. Në fakt deri tani, koalicioni ka premtuar vetëm 2 batalione me tanket “Leopard” më moderne (një batalion tankesh ukrainas supozohet të ketë 31 tanke).

Ndërkohë Danimarka, Gjermania dhe Holanda po blejnë gjithashtu të paktën 100 tanke “Leopard 1a5” më të vjetër, por të modernizuar enkas për Ukrainën, duke ndërtuar 3 batalione të tjera. Këto tanke po plotësohen me një koleksion të larmishëm tankesh të tjerë.

Kështu Britania po dërgon një kompani prej 14 tankesh “Challenger 2”. Amerika ka premtuar 31 tanke Abrams m1a2”, që janë më të avancuarit e arsenalit të saj, megjithëse duket se dërgimi i tyre do të kërkojë disa muaj. Polonia, që ka premtuar dërgimin e 14 tankeve “Leopard”, dhe ka dërguar tashmë rreth 250 tanke T -72 të modelit sovjetik, do të dërgojë edhe 60 tanke të tjerë T -72 të modernizuar.

Një shumëllojshmëri mjetesh luftarake të këmbësorisë, nga BMP-1 e vjetra të epokës sovjetike deri tek automjetet “Stryker” dhe “Bradley” të Amerikës, do të kompetojnë brigadat ushtarake të blinduara të Ukrainës. Megjithatë, fiksimi pas tankeve e ka shpërqendruar vëmendjen nga një ndryshim më i rëndësishëm në strategji.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, SHBA-ja dhe Britania e kuptuan se një luftë e zgjatur nuk ishte në interesin e Perëndimit. Për më tepër që Rusia duket se është edhe më e dobët nga sa mendohej më parë. Një zyrtar i përfshirë në ato diskutime thotë se debatet u përqëndruan tek ky arsyetim:”Nëse duam që të ndryshojë diçka, atëherë duhet të ndryshojmë diçka në strategjinë aktuale”.

Pika e kthesës erdhi më 20 janar në takimin e tetë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, një takim periodik i Ministrave të Mbrojtjes i udhëhequr nga Amerika, që mbahet afro çdo muaj në një bazë të madhe ajrore amerikane në Ramstein të Gjermanisë.

Atje, aleatët ranë dakord ta pajisin Ukrainën me paketën e armatimeve të një divizioni, me synimin për t’i dorëzuar pjesën më të madhe të tyre deri në fund të këtij muaji. Që nga ajo kohë dërgesat e armëve janë rritur ndjeshëm. Nga e gjithë ndihma ushtarake e premtuar nga Pentagoni që nga fillimi i luftës, 40 për qind e saj – me një kosto mbi 8 miliardë dollarë – ka mbërritur në Ukrainë në 3 muajt e fundit që nga 9 dhjetori 2022.

Një zyrtar evropian i mbrojtjes thotë se vetëm në janar dërgesa e armëve nga Gjermania arriti në 2/3 totalit të dërguar në Ukrainë gjatë gjithë vitit 2022. Shumica e donacioneve nuk janë aq joshëse sa tanket, por janë ende vendimtare. Për shembull, paketa e fundit e SHBA-së përfshin automjete të blinduara për vendosjen e urave të lëvizshme, të cilat do të jenë jetike për çdo ofensivë në jug ose në lindje.

Për pasojë ushtria e Ukrainës po transformohet rrënjësisht. Pjesa më e madhe e pajisjeve të saj është ende me origjinë sovjetike. Por ndërsa raporti i armëve sovjetike me pajisjet perëndimore ishte në raportin 1 me 5 në fund të vitit të kaluar, ai pritet të bjerë në 2 me 5 me ardhjen e ndihmave të reja.

Pra gati 1/3 e ushtrisë së Ukrainës do të ketë së shpejti pajisje standarde të NATO-s. Gjenerali Valery Zaluzhny, ushtaraku më i lartë i Ukrainës, shpreson që të ketë në dispozicion 3 divizione të reja, secila me 6 brigada, dhe secila me më shumë se 20.000 burra.

Një ofensivë ruse që nisi në fund të janarit, synonte pjesërisht ta detyronte Ukrainën t’i harxhonte këto rezerva, duke e bërë shumë më të vështirë përgatitjen e një kundërofensive. Ditët e fundit, ushtarët rusë dhe mercenarët kanë avancuar më në thellësi të Bakhmut, një qytet në provincën Donetsk, e cila ka qenë nën sulmin e rusëve që nga vera e vitit të kaluar.

Por beteja për qytetin ka shkaktuar humbje shumë më të mëdha për rusët sesa për ukrainasit. Dhe më e rëndësishmja, gjenerali Zaluzhny e ka shmangur kurthin për trupat e tij. Në vend se të hidhte rezerva të mëdha në Bakhmut për të shpëtuar qytetin, që ka një vlerë shumë më të madhe simbolike sesa ushtarake, ka dërguar shumicën e trupave jashtë vendit për t’u trajnuar me pajisjet e reja.

Që nga janari, Komanda e Shtatë Stërvitore e Ushtrisë Amerikane ka zhvilluar një kurs 5-javor për njësitë ukrainase në zonën e saj të trajnimit Grafenwoehr në Bavarinë Lindore, në Gjermani. Gjatë ofensivave të saj vitin e kaluar, ushtria ukrainase sulmoi kryesisht në formacionet e madhësisë së kompanisë.

Stërvitja në Grafenwoehr synon t’i bashkojë këto në batalione dhe brigada më të mëdha të afta për të zhvilluar një luftë të “armëve të kombinuara”, në të cilën këmbësoria, forcat e blinduara, artileria dhe armë të tjera luftarake punojnë së bashku dhe jo vetëm në mënyrë të njëpasnjëshme siç ndodh kryesisht në këto momente.

Zyrtarët perëndimorë janë të ndarë, nëse kjo do të mjaftojë për të larguar Rusinë nga afro 18 për qind e territorit të Ukrainës që kontrollon aktualisht. Vetëm një batalioni i ushtarëve do të kalojë nëpër trajnimet e Grafenëoehr çdo muaj. Një pjesë e madhe e ushtrisë së Ukrainës përbëhet ende nga njerëz të mobilizuar që kamë një përvojë ushtarake të kufizuar.

Municioni mbetet një problem serioz, pasi aleatët perëndimorë kanë qenë të ngadaltë në rritjen e prodhimit. Dhe mungesa e fuqisë ajrore të Ukrainës mund të bëhet një problem edhe më serioz, nëse avionët luftarakë rusë dëshmohen të gatshëm të rrezikojnë më shumë gjatë çdo lloj kundërofensive të ukrainasve.

Nga ana tjetër, ushtria ruse gjendet në një situatë shumë problematike. Nëse pas pushtimit të Bakhmutit, ajo vendos që të përparojë më në thellësi në Donetsk, do të detyrohet të zvogëlojë edhe më shumë rezervat e veta të pakta. Dhe mund të nisë të tërheqë njësi nga pjesë të tjera të vijës së gjatë të frontit, duke krijuar boshllëqe që Ukraina mund t’i shfrytëzojë, thotë Gustav Gressel i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Aleatët e Ukrainës po i vëzhgojnë nga afër pikat e dobëta të ushtrisë ruse. Më 2 mars, Mark Milley, gjenerali kryesor i Amerikës, vëzhgoi stimulimet luftarake në tryezë të zhvilluara në një bazë amerikane në Wiesbaden të Gjermanisë, për t’i ndihmuar ushtarakët ukrainas të shqyrtojnë opsione të ndryshme për një ofensivë.

Pak zyrtarë dhe ekspertë mendojnë se Ukraina mund të jetë në gjendje të rivendosë kufijtë e saj të paraluftës me një goditje të vetme, e lëre më pastaj të rimarrë territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë e pushtuar nga Rusia që nga viti 2014.

Por nëse Ukraina mund të arrijë të çlirojë një pjesë tjetër të rëndësishme të territorit aktualisht të pushtuar nga Rusia, siç bëri më parë vit në verilindje rreth Kharkiv dhe në jug rreth Kherson, kjo do të zhdukte bindjen e shprehur nga vetë gjenerali Milley se lufta është e dënuar që të futet në një ngërç.  /albeu.com

 

 


Shtuar 16.03.2023 11:44