SHBA vret me sulm ajror liderin e Al-Kaedës

Një operacion amerikan kundër-terrorizmit në Afganistan, ka vrarë liderin e Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, janë duke raportuar mediat amerikane.

Sipas tyre, ai është vrarë në një sulm me dron që është kryer nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) në kryeqytetin afgan, Kabul, të dielën.

Ende nuk ka konfirmime zyrtare për këtë gjë.

Al-Zawahiri është ngjitur në krye të Al-Kaidës pas vrasjes së Osama bin Ladenit nga forcat amerikane në maj të vitit 2011.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden do të japë detaje për operacionin në Afganistan në orët në vijim.

Në të njëjtën kohë, një zëdhënës i talibanëve ka raportuar se një sulm me dron amerikan ka ndodhur të shtunën në një zonë me banorë në Kabul.

Ai e ka përshkruar sulmin si shkelje e pastër e parimeve ndërkombëtare.

“Veprime të tilla janë përsëritje e përvojave të dështuara të 20 vjetëve të kaluar dhe janë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara, Afganistanit dhe rajonit”, ka thënë ky zëdhënës.

Ushtria amerikane i ka dhënë fund misionit të saj në Afganistan më 30 gusht të vitit 2021.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara, nga të cilat kanë mbetur të vdekur rreth 3.000 njerëz./rel