Mbi 450 mijë njerëz në Maqedoninë e Veriut jetojnë nën pragun e varfërisë (VIDEO)

Numri i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në varfëri është në rritje.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se pothuajse 452 mijë qytetarë kanë jetuar nën kufirin e varfërisë në vitin 2020 në Maqedoninë e Veriut.

Shkalla e të varfërve në totalin e popullsisë është 21.8%, që është një rritje në krahasim me vitin 2019 – kur kjo përqindje ishte 21.6.

Varfëria më e lartë është në familjet katëranëtarëshe me dy fëmijë nën moshën 14 vjeç. Niveli i varfërisë po rritet edhe në familjet beqare, nëse në vitin 2018 ishin regjistruar 97 mijë persona, tani numri është rritur në 110 mijë. Shkalla e varfërisë e familjeve të përbëra nga dy të rritur me dy fëmijë të varur është 20.7 për qind, e të punësuarve që janë të varfër është 7.9 për qind, ndërsa e pensionistëve të varfër është 7 për qind. Varfërinë më së shumti e ndjejnë të rinjtë deri në 17 vjeç (30.3%), pasuar nga mosha 18 deri në 64 vjeç (21.1%), ndërsa përqindja më e ulët e pensionistëve (13.4%), pra personat mbi 65 vjeç që jetojnë në varfëri.

Ndërkohë, ka ankesa të vazhdueshme se edhe shumë persona të punësuar, jetojnë në prag të varfërisë për shkak se me pagat e tyre nuk arrijnë t’i plotësojnë harxhimet personale dhe të familjes. /shenja/