ÇUDIA/ Plagosi nënën si hakmarrje për vrasjen e babait

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur disa ditë më parë, teksa një 28-vjeçar plagosi nënën e tij me thikë pranë Institutit në Kamëz.

28-vjeçari Ajet Lleshi, i ka treguar gjykatës se e kishte blerë thikën në kryeqytet pasi kishte ardhur nga Klosi me qëllim për të lënduar të ëmën.

Por ajo çfarë u kuptua nga dëshmitë e lexuara para gjykatës, është se i riu prej vitesh jetonte në një ambient ku nxitej për kryerjen e krimit të rëndë, për të cilin duket se nuk është penduar.

Nëna e tij, Safije Lleshi disa vite më parë ka vrarë burrin, siç rezulton nga dëshmitë për shkak të dhunës që ai ushtronte, krim për të cilin ka vuajtur dënimin.

Motra e të riut i ka thënë hetuesve se i vëllai ka qenë gjithmonë i dhunshëm, teksa shton se pasi nëna ka dalë nga burgu, ku vuajti dënimin për vrasjen e të atit, njerëzit e këtij të fundit i kanë thënë se duhet ta vriste.

“Unë kur isha e vogël kam dëgjuar nënën time nga ana e babait dhe xhaxhain që i flisnin keq vëllait tim për mamanë dhe herë pas herë thonin se duhet ta vriste atë. Unë jam shkëputur nga vëllai dhe mamaja përpara shumë kohësh dhe nuk di çfarë është bërë”.

Vetë Safije Lleshi ka treguar për hetuesit që sapo e ka parë djalin t’i afrohet, e ka pyetur nëse i duheshin Lekë, por ai nuk i ka folur e ka goditur dhe është larguar.

 

 


Shtuar 14.03.2022 16:16