Kërcënimi serioz i lodhjes nga lufta

Nga Markus Ziener “German Marshall Fund”

Përktheu: Alket Goce- Albeu.com

Mesazhi i presidentit rus Vladimir Putin drejtuar popullit të tij natën e Vitit të Ri ishte nevoja e vendosjes së “drejtësisë morale dhe historike” përmes pushtimit të tij në Ukrainë që shumë shpejt do të shënojë përvjetorin e tij të parë tragjik.

Deklarata e tij përputhet me besimin e tij të shprehur prej kohësh se Ukraina është në fakt një pjesë e Rusisë dhe se Kievi nuk ka të drejtën e vetëvendosjes. Ky pozicion mund të mos jetë i ri, por në fund mund të gjejë një terren pjellor nëse lodhja nga lufta aktuale do të rritet në disa zona në Perëndim.

Dhe që tani ka shenja se kjo gjë po ndodh. Britanikja “The Guardian” raportoi nëntorin e vitit të kaluar se zyrtarët amerikanë kishin nisur të paralajmëronin të shqetësuar në lidhje me shtimin e “lodhjes nga lufta në Ukrainë” midis aleatëve në rast se Kievi vazhdon që të refuzojë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit.

Vizita e papritur e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në dhjetor në kryeqytetin e SHBA-së Uashington për t’iu drejtuar me një fjalim të veçantë Kongresit u bë pjesërisht për të adresuar këtë shqetësim. Sondazhet e fundit të opinionit publik në Gjermani tregojnë se mbështetja për Ukrainën mund të jetë duke u lëkundur.

Një sondazh zbuloi se vetëm një pakicë e gjermanëve dëshiron që të rrisë dërgesat e armëve në Ukrainë, ndërsa një sondazh tjetër tregoi se shumica bën thirrje për bërjen e përpjekje më të mëdha diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Dhe nuk është publiku gjerman që mendon kështu.

Një numër intelektualësh gjermanë i bënë thirrje qeverisë së tyre përmes një letre të hapur botuar në majin e vitit të kaluar që të ndalë dërgimin e armëve në Ukrainë. Kohët e fundit, në një ese të publikuar në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Reinhard Merkel, profesor i së drejtës penale dhe filozofisë juridike dhe ish-anëtar i Këshillit Gjerman të Etikës, argumentoi se edhe pala e sulmuar, Ukraina, ka për detyrë të ndjekë bisedimet e

paqes në rast se kostoja e vazhdimit të luftës bëhet jo proporcionale.

Nuk ka dyshim që ajo ese, e cila bëri shumë bujë pas debatit të nxehtë për ‘bujarinë e tepruar’ gjermane ndaj Ukrainës, ngjalli shumë kritika. Në kundërpërgjigje, Helmut Philipp Aust, profesor i njohur i së drejtës ndërkombëtare e akuzoi përmes një artikulli në “Freie Universität Berlin” Merkelin për zbatimin e ligjit në mënyrë arbitrare.

Aust kritikoi gjithashtu konceptin e Merkelit se Ukraina duhet të pranojë aneksimin e Krimesë së vitit 2014 dhe duhet të mos përpiqet që ta rimarrë atë. Por Gjermania nuk është e vetmja me këtë qasje: pra duke e mbështetur Ukrainën, dhe përpjekur të shmangë izolimin e plotë të Rusisë.

Edhe Franca po tenton një akt të ngjashëm balancues. Judy Dempsey nga “Carnegie Europe” vuri në dukje në dhjetor se “ndërsa Parisi dhe Berlini vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, sinjalet e tyre të përziera ndaj Rusisë, kanë nervozuar disa partnerë evropianë si dhe Kievin. Dhe kjo sjellje me 2 standarte mund të prishë unitetin e BE-së”.

Kjo lloj sjellje ndodh pavarësisht rrjedhës së vazhdueshme të mizorive që kanë kryer forcat ruse dhe që ka të ngjarë të kryejnë ende në territorin e pushtuar ukrainas. Vijat ndarëse midis autorit dhe viktimës janë gjithnjë e më të paqarta, edhe pse dihet që luftën e nisi Kremlini, që Putin nuk ka gjasa t’i japë fund agresionit të tij në Ukrainë, dhe që NATO nuk përbënte një kërcënim për Rusinë.

Gjithsesi vazhdon të dominojë narrativa, e trumbetuar vazhdimisht nga vetë Putini, e një fuqie bërthamore të rrethuar nga armiq që nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të mbroheshin. Kjo pikëpamje ka mbledhur shumë adhurues në Rusi dhe më gjerë.

Sipas një sondazhi të nëntorit nga Qendra Levada në Moskë, 36 për qind e rusëve bien dakord se shumica e vendeve perëndimore “i binden verbërisht Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s”, ndërsa 31 për qind besojnë se “bota ka qenë gjithmonë kundër Rusisë”, dhe 19 për qind se publiku perëndimor është “i keqinformuar nga mediat perëndimore”.

Një sondazh i Fondacionit Bertelsmann i kryer vjeshtën e vitit të kaluar tregoi se edhe italianët gjithashtu mund të kenë rënë pre e narrativës së Kremlinit. Vetëm një pakicë

prej 36 për qind e tyre është pro dërgimit të armëve në Ukrainë.

Ndërkohë, shumë shenja ogurzeza sugjerojnë se planet origjinale dhe të vazhdueshme të Putinit shtrihen përtej Ukrainës.

Njëra është vizioni i tij për një Rusi të re, e cila sheh zgjerimin e kontrollit të Moskës mbi botën sllave dhe dobësimin e Perëndimit.

Arritja e këtij synimi mund të përfshijë nxitjen e valëve të reja të emigrantëve, si ato të milionave refugjatëve ukrainas që drejtoheshin drejt BE-së dhe demokracive të tjera muajt

e fundit, që vunë jo pak nën presion burimet e tyre sociale dhe financiare.

Siç vuri në dukje kohët e fundit historiani rus Alexander Gogun në një artikull për një të përditshme gjermane, një shenjë tjetër është perceptimi si një kërcënim themelor i Putinit mbi demokracitë e suksesshme sllave, si ajo e Ukrainës.

“Një vend i lirë dhe shumë dinamik, ku pothuajse gjysma e popullsisë flet rusisht, një demokraci funksionale sllave lindore, është një shembull që mund të frymëzojë gjithashtu edhe qytetarët e Federatës Ruse. Dhe ai është një vend ku mund të emigrojnë figurat e opozitës ruse të cilët do të vazhdojnë ta kritikojnë Kremlinin prej andej.

“Kjo Ukrainë është një armik natyral për diktaturën e Putinit”- ka shkruar Gogun. Vendet e tjera fqinje, si Moldavia, kanë çdo lloj arsye për t’u shqetësuar për sigurinë e tyre në të ardhmen. Përsa i përket qëndrimit të supozuar kërcënues të NATO-s, aleanca ushtarake nisi një sërë nismash të pas Luftës së Ftohtë për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, dhe për të zbutur frikën e një sulmi.

Këto përfshinin programin e Partneritetit për Paqe, të cilit Rusia iu bashkua në vitin 1994.

Aktin Themelues të 1997 mbi Marrëdhëniet Reciproke, Bashkëpunimin dhe Sigurinë, dhe nënshkrimin në të njëjtin vit të Memorandumit të Budapestit, një nënprodukt i bisedimeve START mbi kontrollin e armëve, që çoi në dorëzimin e armëve bërthamore të Ukrainës tek Rusia.

Në krye të këtyre ishin përpjekjet për të lidhur më ngushtë Rusinë me Perëndimin, si nëpërmjet Partneritetit Strategjik BE-Rusi të vitit 1999 dhe Partneritetit Gjermani-Rusi për Modernizimin e vitit 2010, kur Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe homologu i tij gjerman, Guido Westerwelle, deklaruan se “ne duam të krijojmë një zonë stabiliteti dhe sigurie në kontinentin evropian pa vija ndarëse dhe kufij”.

Nuk ka asnjë dyshim, se ngjarje të tilla si përfshirja e NATO-s në luftën ballkanike të viteve 1990, dhe ndërhyrja ushtarake ruse në Gjeorgji e ndërlikuan shumë bashkëpunimin. E mgjithatë kanalet e komunikimit mbetën të hapura. Portretizimi i pasinqertë nga Kremlini

i një NATO-je armiqësore ndaj saj, është thjesht një pretekst për një sjellje luftarake e cila ka nisur të paktën që me aneksimin e Krimesë dhe pushtimin e Donbasit në vitin 2014.

Ky sfond do të jetë një konsideratë e rëndësishme në çdo lloj negociate në lidhje me dhënien fund të armiqësive të vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë. Përballja me botëkuptimin e Putinit do të jetë çelësi për të shmangur çdo kapitull të ardhshëm të vdekjes dhe shkatërrimit që sjell perspektiva e tij.

Lufta në Ukrainë mund të jetë duke shkuar keq tani për tani, por nuk ka asnjë tregues se presidenti rus po heq dorë nga synimet e tij afatgjata. Në rast se Ukraina dhe fqinjët e tjerë të Rusisë, duan të kenë siguri dhe stabilitet të vërtetë dhe të qëndrueshëm, Perëndimi do të detyrohet të adoptojë një qasje të dyfishtë.

Ai duhet të vazhdojë të sinjalizojë mosgatishmërinë e saj për të bërë lëshime kur shkelet ligji ndërkombëtar. Paprekshmëria e kufijve, është shtylla kurrizore e këmbënguljes së pa negociueshme perëndimore për sundimin e ligjit. Njëkohësisht, Perëndimi duhet të sigurojë që Rusia të mos sulmojë dhe të destabilizojë më tej Evropën. Në një moment, Moska duhet t’i bashkohet komunitetit ndërkombëtar.

Është shumë herët për të hartuar një udhërrëfyes për këtë gjë. Parakushtet themelore, si ndryshimi i regjimit në Kremlin, lirimi nga burgu i figurave të opozitës dhe rikthimi në një shoqëri të hapur, duken shumë larg. Gjithsesi duhet të ofrohet opsioni i ribashkimit të Rusisë me komunitetin ndërkombëtar.

Shënim: Markus Ziener, bashkëpunëtor i think-tankut “German Marshall Fund”./albeu.com/