Akuzohet për shit-blerje votash, Apeli i GJKKO lë në burg Fredi Belerin

Apeli i GJKKO ka vendosur të lërë në burg Fredi Belerin, i akuzuar për shit-blerje votash.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë, Fredi Beleri kishte ankimuar vendimin duke kërkuar lirimin nga burgu, por trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, vendosi mos te pranojë kërkesën,  e të lërë në burg Belerin, duke lënë në fuqi të vendimit të GJKKO-së, që ka dhënë masën “arrest me burg ndaj tij”.

Kujtojmë që Beleri u arrestua 2 ditë parazgjedhjeve të 14 majit nën akuzën për blerjen e votave dhe që atëherë ndodhet në qeli.

Nga qelia ai arriti të fitonte zgjedhjet për bashkinë e Himarës e cila solli edhe festime nga simpatizantët e tij. Ndonëse ai fitoi zgjedhjet Beleri nuk mori pjesë në ceremoninë e betimit pasi gjykata nuk e lejoi.

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 14.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 114 akti, datë 05.07.2023 regjistrimi, me objekt “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal”, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim Dh.A.B., ndaj vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”- thuhet në komunikatë.

/albeu.com/ 


Shtuar 14.07.2023 11:15