Harta e re gjyqësore, nga 1 shkurti vetëm 1 Gjykatë Apeli, 31 mijë dosje në pritje

Me hartën e re gjyqësore, të gjitha çështjet të cilat nuk kanë asnjë datë për gjykim në Apel, do të hidhen edhe një herë në short, për të caktuar gjyqtarët që do t’i shqyrtojnë. Mësohet se janë 32 mijë dosje të cilave nuk u ka nisur ende gjykimi në gjykatat e Apeleve në Tiranë apo në rrethe, mes të cilave është edhe ajo e ankimimit që Partia Demokratike e Alibeajt i ka bërë vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri që i dha vulën e partisë së Sali Berishës.

Këto dosje pa date për seancën e parë, do të rihidhen në short në datat 1 dhe 2 shkurt, kur nis funksionim harta e re gjyqësore, e cila parashikon vetëm një gjykatë Apeli e Juridiksionit të Përgjithshëm që do të jetë në Tiranë, në ambientet e godinës aktuale në kryeqytet.

Sipas Hartës së re Gjyqësore fillimisht do jenë 25 gjyqtarë, nga 78 që është organika por në krah të tyre do jenë edhe ndihmës ligjorë.

Për gjyqtarët  që do të vijnë nga rrethet, janë siguruar zyrat e nevojshme. Por, pavarësisht se gjykimi i çështjeve do të zhvillohet  në Tiranë,  gjykatat të cilat do të shkrihen do të vijojnë të funksionojnë shërbimet për qytetarët.

Për të gjithë qytetarët me pyetje të ngjashme, se çfarë do të ndodhë me çështjet e tyre, gjykata ka vënë në dispozicion një adresë e-mail dhe një numër telefoni.

Harta e re gjyqësore e cila u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, hasi ne kundërshtimet e avokatëve,  të cilët bojkotuan për disa javë  edhe seancat.

Harta e re  do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative.

KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do jenë në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga 1 shkurti do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë./Albeu.com.