“Nëse dal nga ajo derë nuk ka kthim pas!” Prapaskenat e përplasjes Rama-Lleshaj

Në Mars të këtij viti, kryeministri Edi Rama ka marrë vendimin për të ndryshuar të gjithë këshillin drejtues së Autoritetit Civil, në krye të të cilit qëndronte Sandër Lleshaj.

Rama e ka shkarkuar nga ky funksion Lleshajn, duke emёruar si kryetar Dritan Gjonbalajn. Kjo periudhë përkonte me pandeminë e koronavirusit e cila sapo kishte hyrë në Shqipëri. Në një kohë kur Ministri i Brendshëm duhet të ishte në krye të aksionit për zbatimin e masave ndaj parandalimit të përhapjes së koronavirusit, Sandër Lleshaj u mbyll në karantinë pasi daljet e tij ishin tepër të rralla, duke lënë në terren vetëm punonjës policie.

Heshtja e Lleshajt në këtë periudhë ku duhet të ishte protagonist, lidhet me një përplasje mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, shkruan fax news.

Gjatë një mbledhje qeverie në fillim të Marsit, ka pasur një debat të ashpër midis tyre, ku tensioni ka arritur deri aty sa në duf e sipër, kryeministri e ka përzënë nga mbledhja Ministrin e Brendshëm duke e “përcjellë” me fjalët “zhduku mos të të shoh më”.

Lleshaj mwsohet se është nisur të braktisë takimin, ka kthyer pas duke i thënë shefit të qeverisë se “nëse dal nga ajo derë, nuk ka më kthim”, teksa Rama ka porositur një zyrtar shumë të lartë në PS duke i kërkuar që t’i sqarojë ministrit se nuk ka asgjë personale me të. Por pavarësisht kësaj, Rama e shkarkoi nga posti në Këshillin Drejtues të Autoritetit Civil.

Por teksa debati për pandeminë zinte hapësirën kryesore në prononcimet politike dhe zhvillimet brenda saj, një tender prej 80 milionë eurosh për uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit, ku mediat raportuan se një kapele do të kushtonte 350 euro, theu sërish “rendin”. Disa deputetë të opozitës parlamentare depozituan madje edhe një padi penale në SPAK kundër Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonajt: “Fituesi i paracaktuar, ishte firma ‘D&E sh.p.k.’, e cila nuk plotësonte shumë kushte e dokumente të kërkuara, dhe ndonëse ofronte rreth 5 miliardë lekë më tepër se operatori i klasifikuar si i pari.

Sandër Lleshaj ishte i vendosur që në kundërshtim me ligjin ta shpallte fitues. Skandali merr përmasa edhe më të mëdha. Kjo për vetë faktin se tenderi është mbajtur në datë 11.05.2020, dhe sipas ligjit, klasifikimi duhet të ishte bërë brenda 10 ditësh, por ndërkohë fituesi është publikuar online më datë 14.07.2020″. Kjo përmbajtje e tekstit të padisë, ishte vetëm një pjesë e vogël e dabatit politik por jo vetëm që u hap dhe komentua. Natyrisht, ku ka një debat të tillë, ka edhe lëvizje që ndodhin.
Burime bëjnë me dije se as këtë temë nuk e kaloi në heshtje kryeministri Edi Rama. Ajo çfarë u “shit” si një përplasje mes dy mirditorëve, Sandër Lleshajt dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, ishte vetëm vijimi i një përplasje mes Ramës dhe Lleshajt.

Ndwrkohw Rama është ai që ka urdhëruar shkarkimin e Ndrecës, një personazh që i ka ndryshuar shpesh postet gjatë qeverisjes socialiste. Shkak është bërë fakti se tenderi për uniformat e policisë mbante edhe firmën e tij, ç’ka sikurse në kohën kur Ndreca mbante po të njëjtin post në Ministrinë e Arsimit, kur e drejtonte Lindita Nikolla, u lakua jo pak në media dhe nga opozita për abuzime me detyrën.

Lajmi i shkarkimit të Ndrecës nga funksioni i lartë në Ministrinë e Brendshme ishte përhapur gjithandej, por Lleshaj e mbajti peng për 7 ditë me radhë kërkesën për dorëheqje, dhe vetëm pas insistimit të mediave për transparencë, më datë 18 Shtator, Lleshaj vendosi firmën për të pranuar shkarkimin. Nga Gjirokastra, Ministri tha se kjo është një lëvizje rutinë në administratë dhe nuk ka të bëjë aspak me përplasjet për tenderat.

“Lëvizja e sekretarit është lëvizje në administratë, s’ka lidhje me tenderat e uniformave, pasi për këtë hetojnë organe të tjera. Kjo është një lëvizje e tij për një pozicion tjetër”.
Të njëjtin reagim ka pasur dhe vetë Ndreca, i cili ka deklaruar se dorëheqja e tij është bërë për një tjetër pozicion tjetër në administratë.

Lleshaj në këtë periudhë ishte në një tjetër dilemë të madhe. Atij i ishte kërkuar nga Rama të merrte drejtimin e PS-së në Qarkun e Lezhës. Por ministri, si një funksionar pa kontribute të mëdha elektorale në parti, ishte i vetëdijshëm se nuk ia dilte dot të merrte një përgjegjësi të tillë, kjo edhe për faktin se kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu nuk i kishte të mira rrelatat me të, shkruan fax news.

Por nuk mjafton vetëm kaq, Ndreu kishte paralajmëruar Ramën se nuk do të lëvizte asnjë gur nëse drejtimi i fushatës së ardhshme në Lezhë nuk merrej nga dikush që i përshtatej kërkesave të tij.
Ishte fjala për Lindita Nikollën, e cila kohët e fundit është konfirmuar në krye të PS-së në Qarkun e rëndësishëm në Veri. Lleshaj sipas një burimi, ka treguar mungesë interesi ndaj kërkesës së Ramës, teksa ai e ka të qartë faktin se në zonën e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, nuk ka kredenciale të forta e për rrjedhojë as mbështetjen që kërkon në fakt PS. I njëjti burim thotë se, ka të bëjë me indiferencën e Lleshajt gjatë drejtimit të Ministrisë së Brendshme ndaj komunitetit në Qarkun e Lezhës.

Sias fax news Lleshaj, i ka thënë Ramës se më mirë do kishte të drejtonte fushatën në një zonë nga jugu i vendit, se sa nga zona e origjinës së tij. Ministri ka deklaruar në një rreth të ngushtë të tij, se pasi ka mësuar se nuk do të drejtojë fushatën në Qarkun e Lezhës, ishte një rast për të festuar pasi nuk e dëshironte një përgjegjësi të tillë. Fushata elektorale ka nisur ndonëse jo zyrtarisht, dhe Lleshaj vijon të qëndrojë i distancuar, ndërsa ka mbetur fare pak kohë të mësojmë nëse personi që zhveshi kostumin e gjeneralit për postin ministror, do të rezistojë dot në politikën shqiptare para dhe pas 25 prillit. Një politike nëse nuk i jep diçka nuk të mban pranë.


Shtuar 27.09.2020 06:19