Nga Lufta e Ftohtë te Paqja e Nxehtë

Në një botë të formësuar nga logjika e hekurt e tregjeve dhe e interesave kombëtare, lufta pushtuese atavike e Vladimir Putinit ka mistifikuar strategët e “thellë” të realpolitikës. Gabimi i tyre ishte se harruan se nën kapitalizmin global, konfliktet kulturore, etnike dhe fetare janë të vetmet forma të luftës politike të mbetura.

Nga Slavoj Zizek

Me pushtimin rus të Ukrainës, ne po hyjmë në një fazë të re të luftës dhe politikës globale. Përveç rrezikut të shtuar të katastrofës bërthamore, jemi tashmë në një stuhi të përsosur krizash globale – pandemia, ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe mungesa e ushqimit dhe ujit. Në një kohë kur vetë mbijetesa e njerëzimit rrezikohet nga faktorë ekologjikë (dhe të tjerë), dhe kur adresimit të këtyre kërcënimeve duhet t’i jepet prioritet mbi çdo gjë tjetër, shqetësimi ynë parësor është zhvendosur papritur – përsëri – në një krizë të re politike. Pikërisht kur bashkëpunimi global nevojitet më shumë se kurrë, “përplasja e qytetërimeve” kthehet me një hakmarrje.

Pse ndodh kjo? Siç ndodh shpesh, një Hegel i vogël mund të bëjë një rrugë të gjatë drejt përgjigjes së pyetjeve të tilla. Në Phenomenology of Spirit, Hegeli përshkruan në mënyrë të famshme dialektikën e zotërisë dhe shërbëtorit, dy “vetëvetëdije” të mbyllura në një luftë për jetë a vdekje. Nëse secili është gati të rrezikojë jetën e tij për të fituar, dhe nëse të dy këmbëngulin për këtë, nuk ka fitues: njëri vdes dhe i mbijetuari nuk ka më njeri që ta njohë ekzistencën e tij. Implikimi është se e gjithë historia dhe kultura mbështeten në një kompromis themelor: në konfrontimin sy më sy, njëra palë (shërbëtori i ardhshëm) “e kthen shikimin”, duke mos dashur të shkojë deri në fund.

Por Hegeli do të nxitonte të vinte në dukje se nuk mund të ketë kompromis përfundimtar ose të qëndrueshëm midis shteteve. Marrëdhëniet midis shteteve-kombe sovrane janë përgjithmonë nën hijen e një lufte të mundshme, ku çdo epokë paqeje nuk është gjë tjetër veçse një armëpushim i përkohshëm. Çdo shtet disiplinon dhe edukon anëtarët e vet dhe garanton paqen qytetare mes tyre dhe ky proces prodhon një etikë që kërkon në fund akte heroizmi – gatishmëri për të sakrifikuar jetën për atdheun e vet. Marrëdhëniet e egra dhe barbare midis shteteve shërbejnë kështu si themeli i jetës etike brenda shteteve.

Koreja e Veriut përfaqëson shembullin më të qartë të kësaj logjike, por ka edhe shenja se Kina po lëviz në të njëjtin drejtim. Sipas miqve në Kinë (të cilët duhet të mbeten anonimë), shumë autorë në revistat ushtarake kineze ankohen tani se ushtria kineze nuk ka pasur një luftë të vërtetë për të testuar aftësinë e saj luftarake. Ndërsa Shtetet e Bashkuara po testojnë përgjithmonë ushtrinë e tyre në vende si Iraku, Kina nuk e ka bërë këtë që nga ndërhyrja e dështuar e saj në Vietnam në 1979.

Në të njëjtën kohë, mediat zyrtare kineze kanë filluar të lënë të kuptohet më hapur se meqenëse perspektiva e integrimit paqësor të Tajvanit në Kinë po pakësohet, do të nevojitet një “çlirim” ushtarak i ishullit. Si përgatitje ideologjike për këtë, makineria e propagandës kineze ka nxitur gjithnjë e më shumë patriotizmin nacionalist dhe dyshimin ndaj çdo gjëje të huaj, me akuza të shpeshta se SHBA-ja është e etur për të shkuar në luftë për Tajvanin. Vjeshtën e kaluar, autoritetet kineze këshilluan publikun që të grumbullonte furnizime të mjaftueshme për të mbijetuar për dy muaj “për çdo rast”. Ishte një paralajmërim i çuditshëm që shumë e perceptuan si një njoftim për luftë të afërt.

Kjo tendencë bie drejtpërdrejt kundër nevojës urgjente për të qytetëruar qytetërimet tona. Ne kemi nevojë për solidaritet dhe bashkëpunim universal midis të gjitha komuniteteve njerëzore, por ky objektiv bëhet shumë më i vështirë nga rritja e dhunës “heroike” fetare dhe etnike sektare dhe gatishmëria për të sakrifikuar veten (dhe botën) për kauzën specifike të dikujt. Në vitin 2017, filozofi francez Alain Badiou vuri në dukje se konturet e një lufte të ardhshme janë tashmë të dallueshme. Ai parashikoi:

“…Shtetet e Bashkuara dhe grupi i tyre perëndimor-japonez nga njëra anë, Kina dhe Rusia nga ana tjetër, armët atomike kudo. S’mund ta harrojmë deklaratën e Leninit: “Ose revolucioni do të parandalojë luftën ose lufta do të shkaktojë revolucion.” Kështu mund të përkufizojmë ambicien maksimale të punës politike që do të vijë: për herë të parë në histori, hipoteza e parë – revolucioni do të parandalojë luftën – duhet të realizohet vetë, dhe jo e dyta – një luftë do të shkaktojë revolucion. Padyshim që u materializua hipoteza e dytë në Rusi në kontekstin e Luftës së Parë Botërore dhe në Kinë në kontekstin e së dytës. Por me çfarë çmimi! Dhe me çfarë pasojash afatgjata!”

Kufijtë e Realpolitikës

Qytetërimi i qytetërimeve tona do të kërkojë ndryshime rrënjësore shoqërore – një revolucion, në fakt. Por ne nuk mund të lejojmë të shpresojmë se një luftë e re do ta shkaktojë atë. Rezultati shumë më i mundshëm është fundi i qytetërimit siç e njohim ne, me të mbijetuarit (nëse ka të tillë) të organizuar në grupe të vogla autoritare. Nuk duhet të ushqejmë iluzione: në një farë kuptimi themelor, Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar, megjithëse, tani për tani, ajo ende po luftohet kryesisht përmes përfaqësuesve.

Thirrjet abstrakte për paqe nuk mjaftojnë. “Paqja” nuk është një term që na lejon të nxjerrim dallimin kryesor politik që na nevojitet. Pushtuesit gjithmonë duan sinqerisht paqen në territorin që mbajnë. Gjermania naziste donte paqe në Francën e pushtuar, Izraeli dëshiron paqe në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe presidenti rus Vladimir Putin dëshiron paqen në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse, siç tha dikur filozofi Etienne Balibar, “pacifizmi nuk është një opsion”. Mënyra e vetme për të parandaluar një tjetër Luftë të Madhe është duke shmangur atë lloj “paqeje” që kërkon luftëra të vazhdueshme lokale për mirëmbajtjen e saj.

Te kush mund të mbështetemi në këto kushte? A duhet ta vendosim besimin tonë te artistët dhe mendimtarët, apo te praktikuesit pragmatikë të realpolitikës? Problemi me artistët dhe mendimtarët është se edhe ata mund të hedhin themelet e luftës. Kujtoni vargjet e Ëilliam Butler Yeats: “I kam shtrirë ëndrrat e mia nën këmbët e tua,/Ec butësisht, sepse shkel mbi ëndrrat e mia”. Ne duhet t’i zbatojmë edhe vetë këto vargje. Kur ata përhapin ëndrrat e tyre nën këmbët tona, duhet ta bëjnë këtë me kujdes, sepse njerëzit e vërtetë do t’i lexojnë dhe do të veprojnë sipas tyre. Mos harroni që i njëjti Yeats flirtonte vazhdimisht me fashizmin, duke arritur deri aty sa të shprehte miratimin e tij për Ligjet antisemite të Nurembergut të Gjermanisë në gusht 1938.

Reputacioni i Platonit vuan për shkak të pretendimit të tij se poetët duhet të dëbohen nga qyteti. Megjithatë, kjo është një këshillë mjaft e arsyeshme, duke gjykuar nga përvoja e dekadave të fundit, kur preteksti për spastrim etnik është përgatitur nga poetë dhe “mendimtarë” si ideologu Aleksandr Dugin. Nuk ka më spastrim etnik pa poezi, sepse jetojmë në një epokë gjoja post-ideologjike. Meqenëse kauzat e mëdha laike nuk kanë më forcën për të mobilizuar njerëzit për dhunë masive, nevojitet një motiv më i madh i shenjtë. Feja ose përkatësia etnike i shërbejnë këtij roli në mënyrë të përsosur (ateistët patologjikë që kryejnë vrasje masive për kënaqësi janë përjashtime të rralla).

Realpolitika nuk është udhërrëfyes më i mirë. Ajo është bërë thjesht një alibi për ideologjinë, e cila shpesh ngjall një dimension të fshehur pas velit të paraqitjes për të errësuar krimin që po kryhet hapur. Ky mistifikim i dyfishtë shpesh njoftohet duke e përshkruar një situatë si “komplekse”. Një fakt i dukshëm – le të themi, një shembull i agresionit brutal ushtarak – relativizohet duke evokuar një “sfond shumë më kompleks”. Akti i agresionit është në të vërtetë një akt mbrojtjeje.

Kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot. Rusia padyshim që sulmoi Ukrainën dhe padyshim që po shënjestron civilët dhe po zhvendos miliona emigrantë. E megjithatë komentuesit dhe ekspertët po kërkojnë me padurim për “kompleksitetin” pas saj.

Ka kompleksitet, sigurisht. Por kjo nuk e ndryshon faktin që Rusia e bëri këtë. Gabimi ynë ishte se nuk i interpretuam fjalë për fjalë kërcënimet e Putinit. Ne menduam se ai thjesht po luante një lojë manipulimi strategjik dhe gatishmërie. Dikujt mund ta mbajë mend barsoletën e famshme që citon Sigmund Freud:

“Dy hebrenj u takuan në një vagon treni në një stacion në Galicia. “Ku po shkon?” pyeti njëri. “Në Krakov”, ishte përgjigja. ‘Sa gënjeshtar je!’ shpërtheu tjetri. “Nëse thua se do të shkosh në Krakov, do që unë të besoj se do të shkosh në Lemberg. Por e di që në fakt do të shkosh në Krakov. Atëherë pse po më gënjen?’”

Kur Putini njoftoi një ndërhyrje ushtarake, ne nuk e morëm fjalë për fjalë kur ai tha se donte të çlironte dhe “denazifikonte” Ukrainën. Në vend të kësaj, qortimi nga strategët e “thellë” dhe të zhgënjyer arrin në: “Pse më the se do të pushtoje Lvivin kur vërtet dëshiron të pushtosh Lvivin?”

Ky mistifikim i dyfishtë ekspozon fundin e realpolitikës. Si rregull, realpolitika i kundërvihet naivitetit të diplomacisë dhe politikës së jashtme detyruese ndaj (versionit të dikujt) parimeve morale ose politike. Megjithatë, në situatën aktuale, është realpolitika ajo që është naive. Është naive të supozohet se pala tjetër, armiku, po synon gjithashtu një marrëveshje të kufizuar pragmatike.

Forca dhe Liria

Gjatë Luftës së Ftohtë, rregullat e sjelljes së superfuqive u përcaktuan qartë nga doktrina e shkatërrimit të siguruar reciprok (MAD). Çdo superfuqi mund të jetë e sigurt se nëse vendos të nisë një sulm bërthamor, pala tjetër do të përgjigjet me forcë të plotë shkatërruese. Si rezultat, asnjëra palë filloi një luftë me tjetrën.

Ndryshe nga kjo, kur Kim Jong-un i Koresë së Veriut flet për një goditje shkatërruese ndaj SHBA-së, nuk mund të mos pyesim veten se ku e sheh ai pozicionin e tij. Ai flet sikur nuk është në dijeni se vendi i tij, përfshirë edhe ai vetë, do të shkatërrohej. Duket sikur ai po luan një lojë krejtësisht të ndryshme të quajtur NUTS (Zgjedhje objektivi për përdorim armësh bërthamore), ku aftësitë bërthamore të armikut mund të shkatërrohen në mënyrë kirurgjikale përpara se ai të mund të kundërsulmojë.

Gjatë dekadave të fundit, edhe SHBA-ja është lëkundur midis MAD dhe NUTS. Megjithëse vepron sikur vazhdon t’i besojë logjikës MAD në marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe Kinën, herë pas here është tunduar të ndjekë një strategji NUTS përballë Iranit dhe Koresë së Veriut. Me sugjerimet e tij për fillimin e mundshëm të një sulmi bërthamor taktik, Putin ndjek të njëjtin arsyetim. Vetë fakti që dy strategji drejtpërdrejt kontradiktore mobilizohen njëkohësisht nga e njëjta superfuqi, dëshmon fantazinë e të gjithë kësaj.

Fatkeqësisht për ne të tjerët, MAD i përket të kaluarës. Superfuqitë po testojnë gjithnjë e më shumë njëra-tjetrën, duke eksperimentuar me përdorimin e proxies ndërsa përpiqen të imponojnë versionin e tyre të rregullave globale. Më 5 mars, Putin i quajti sanksionet e vendosura ndaj Rusisë si “ekuivalente me një shpallje lufte”. Por ai ka deklaruar vazhdimisht që atëherë se shkëmbimi ekonomik me Perëndimin duhet të vazhdojë, duke theksuar se Rusia po mban angazhimet e saj financiare dhe po vazhdon të dërgojë hidrokarbure në Evropën Perëndimore.

Me fjalë të tjera, Putini po përpiqet të imponojë një model të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në vend të luftës së ftohtë, duhet të ketë paqe të nxehtë: një gjendje lufte e përhershme hibride në të cilën deklarohen ndërhyrje ushtarake nën maskën e misioneve paqeruajtëse dhe humanitare.

Prandaj, më 15 shkurt, Duma (parlamenti) rus lëshoi ​​një deklaratë duke shprehur “mbështetjen e tij të qartë dhe të konsoliduar për masat adekuate humanitare që synojnë ofrimin e mbështetjes për banorët e zonave të caktuara të rajoneve Donetsk dhe Lugansk të Ukrainës, të cilët kanë shprehur dëshirën për të folur dhe shkruar në gjuhën ruse, që duan të respektohet liria e fesë dhe që nuk mbështesin veprimet e autoriteteve ukrainase që shkelin të drejtat dhe liritë e tyre”.

Sa shpesh në të kaluarën kemi dëgjuar argumente të ngjashme për ndërhyrjet e udhëhequra nga SHBA-ja në Amerikën Latine ose Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut? Ndërsa Rusia bombardon qytetet dhe bombardon repartet e maternitetit në Ukrainë, tregtia ndërkombëtare duhet të vazhdojë. Jashtë Ukrainës, jeta normale duhet të vazhdojë. Kjo është ajo që do të thotë të kesh një paqe të përhershme globale të mbështetur nga ndërhyrjet e pafundme paqeruajtëse në pjesë të izoluara të botës.

A mund të jetë dikush i lirë në një situatë të tillë? Pas Hegel-it, ne duhet të bëjmë një dallim midis lirisë abstrakte dhe asaj konkrete, të cilat korrespondojnë me nocionet tona për lirinë dhe pavarësinë politike. Liria abstrakte është aftësia për të bërë atë që dëshiron, pavarësisht nga rregullat dhe zakonet shoqërore; liria konkrete është liria që jepet dhe mbështetet nga rregullat dhe zakonet. Mund të eci lirshëm përgjatë një rruge të mbushur me njerëz vetëm kur mund të jem mjaft i sigurt se të tjerët në rrugë do të sillen në mënyrë të civilizuar ndaj meje – se shoferët do t’u binden rregullave të trafikut dhe se këmbësorët e tjerë nuk do të më grabisin.

Por ka momente krize kur liria abstrakte duhet të ndërhyjë. Në dhjetor 1944, Jean-Paul Sartre shkroi: “Asnjëherë nuk kemi qenë më të lirë sesa nën pushtimin gjerman. Kishim humbur të gjitha të drejtat tona dhe mbi të gjitha të drejtën për të folur. Na shanin në fytyrë. … Dhe prandaj Rezistenca ishte një demokraci e vërtetë; për ushtarin, si dhe për eprorin e tij, i njëjti rrezik, e njëjta vetmi, e njëjta përgjegjësi, e njëjta liri absolute brenda disiplinës”.

Sartre po përshkruante lirinë, jo pavarëinë politike. Liria është ajo që u vendos kur u kthye normaliteti i pasluftës. Sot në Ukrainë, ata që po luftojnë kundër pushtimit rus janë të lirë dhe po luftojnë për pavarësi politike. Por kjo ngre pyetjen se sa mund të zgjasë dallimi. Çfarë ndodh nëse miliona të tjerë vendosin se duhet të shkelin lirisht rregullat për të mbrojtur pavarësinë e tyre politike? A nuk është kjo ajo që e shtyu një turmë mbështetësish të Donald Trump të hynte në Kapiton më 6 janar 2021?

Loja jo dhe aq e mirë

Ende na mungon një fjalë e duhur për botën e sotme. Nga ana e saj, filozofia Catherine Malabou beson se ne jemi dëshmitarë të fillimit të “kthesës anarkiste” të kapitalizmit: “Si mund t’i përshkruajmë ndryshe fenomene të tilla si monedhat e decentralizuara, fundi i monopolit të shtetit, vjetrimi i rolit ndërmjetësues të bankave dhe decentralizimi i shkëmbimeve dhe transaksioneve?”

Ato dukuri mund të duken tërheqëse, por me zhdukjen graduale të monopolit të shtetit, kufijtë e imponuar nga shteti për shfrytëzimin dhe dominimin e pamëshirshëm gjithashtu do të zhduken. Ndërsa anarko-kapitalizmi synon transparencën, ai gjithashtu “autorizon njëkohësisht përdorimin në shkallë të gjerë, por të errët të të dhënave, rrjetit të errët dhe fabrikimit të informacionit”.

Për të parandaluar këtë zbritje në kaos, vëren Malabou, politikat ndjekin gjithnjë e më shumë një rrugë “evolucioni fashist … me sigurinë e tepruar dhe grumbullimin ushtarak që shkon së bashku me të. Fenomene të tilla nuk bien ndesh me një shtysë drejt anarkizmit. Përkundrazi, ato tregojnë pikërisht zhdukjen e shtetit, i cili, pasi i hiqet funksioni social shpreh vjetërimin e forcës së tij nëpërmjet përdorimit të dhunës. Ultra-nacionalizmi sinjalizon kështu agoninë e vdekjes së autoritetit kombëtar.”

E parë në këto terma, situata në Ukrainë nuk është që një shtet-komb të sulmojë një shtet-komb tjetër. Përkundrazi, Ukraina po sulmohet si një entitet, identiteti etnik i të cilit mohohet nga agresori. Pushtimi justifikohet në termat e sferave gjeopolitike të ndikimit (të cilat shpesh shtrihen përtej sferave etnike, si në rastin e Sirisë). Rusia refuzon të përdorë fjalën “luftë” për “operacionin e saj special ushtarak” jo vetëm për të minimizuar brutalitetin e ndërhyrjes së saj, por mbi të gjitha për të bërë të qartë se lufta në kuptimin e vjetër të një konflikti të armatosur midis shteteve-kombe nuk vlen këtu.

Kremlini do që ne të besojmë se ai thjesht po garanton “paqen” në atë që e konsideron sferën e tij gjeopolitike të ndikimit. Në të vërtetë, ai tashmë po ndërhyn përmes përfaqësuesve të tij në Bosnje dhe Kosovë. Më 17 mars, ambasadori rus në Bosnje, Igor Kalabukhov, shpjegoi se, “Nëse Bosnja vendos të jetë anëtare e ndonjë aleance si NATO-ja, kjo është një çështje e brendshme. Përgjigja jonë është një çështje tjetër. Shembulli i Ukrainës tregon atë që ne presim. Nëse ka ndonjë kërcënim, ne do të përgjigjemi.”

Për më tepër, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka shkuar aq larg sa ka sugjeruar se e vetmja zgjidhje gjithëpërfshirëse do të ishte çmilitarizimi i gjithë Evropës, me Rusinë dhe ushtrinë e saj që ruan paqen përmes ndërhyrjeve të herëpashershme humanitare. Ide të ngjashme janë të shumta në shtypin rus. Siç shpjegon komentuesi politik Dmitry Evstafiev në një intervistë të fundit me një botim kroat: “Lindi një Rusi e re që të bën të kuptosh qartë se ajo nuk të percepton ty, Evropë, si një partnere. Rusia ka tre partnerë: SHBA-në, Kinën dhe Indinë. Ju jeni për ne një trofe që do të ndahet mes nesh dhe amerikanëve. Nuk e keni kuptuar këtë, edhe pse ne po i afrohemi kësaj gjëje.”

Dugin, filozof i oborrit të Putinit, e mbështet qëndrimin e Kremlinit në një version të çuditshëm relativizmi historik. Në vitin 2016, ai tha:

“Post-moderniteti tregon se çdo e ashtuquajtur e vërtetë është çështje besimi. Pra, ne besojmë në atë që bëjmë, ne besojmë në atë që themi. Dhe kjo është mënyra e vetme për të përcaktuar të vërtetën. Pra, ne kemi të vërtetën tonë të veçantë ruse që ju duhet ta pranoni…. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk duan të fillojnë një luftë, duhet të pranoni se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një mjeshtër unik. Dhe me situatën në Siri dhe Ukrainë, Rusia thotë: “Jo, ju nuk jeni më shefi.” Kjo është çështja se kush e sundon botën. Vetëm lufta mund ta vërtet këtë.”

Kjo ngre një pyetje të qartë: Po populli i Sirisë dhe Ukrainës? A nuk mund të zgjedhin edhe ata të vërtetën dhe besimin e tyre, apo janë thjesht një shesh lojërash – apo fushë beteje – e “bosëve” të mëdhenj? Kremlini do të thoshte se ata nuk llogariten në ndarjen e madhe të pushtetit. Brenda katër sferave të ndikimit ka vetëm ndërhyrje paqeruajtëse. Lufta në të vërtetë ndodh vetëm kur katër bosët e mëdhenj nuk mund të bien dakord për kufijtë e sferave të tyre – si në rastin e pretendimeve të Kinës ndaj Tajvanit dhe Detit të Kinës Jugore.

Një Lëvizje e re jo aleate

Por nëse mund të mobilizohemi vetëm nga kërcënimi i luftës, jo nga kërcënimi ndaj mjedisit tonë, liria që do të marrim nëse fiton pala jonë mund të mos ia vlejë. Jemi përballë një zgjedhjeje të pamundur: nëse bëjmë kompromise për të ruajtur paqen, ne po ushqejmë ekspansionizmin rus, të cilin vetëm një “çmilitarizimi” i të gjithë Evropës do ta kënaqë. Por nëse mbështesim konfrontimin e plotë, rrezikojmë të përshpejtojmë një luftë të re botërore. E vetmja zgjidhje reale është të ndryshojmë lupën përmes së cilës ne e perceptojmë situatën.

Ndërsa rendi global liberal-kapitalist po i afrohet padyshim një krize në shumë nivele, lufta në Ukrainë po thjeshtohet në mënyrë të rreme dhe të rrezikshme. Problemet globale si ndryshimet klimatike nuk luajnë asnjë rol në narrativën e çuditshme të një përplasjeje midis vendeve barbaro-totalitare dhe Perëndimit të qytetëruar dhe të lirë. E megjithatë luftërat e reja dhe konfliktet e fuqive të mëdha janë gjithashtu reagime ndaj problemeve të tilla. Nëse çështja është mbijetesa në një planet në telashe, duhet të sigurohet një pozicion më i fortë se të tjerët. Larg nga të qenit momenti i sqarimit të së vërtetës, dhe kur antagonizmi themelor zbulohet, kriza aktuale është një moment mashtrimi i thellë.

Ndërsa ne duhet ta mbështesim fuqimisht Ukrainën, duhet të shmangim magjepsjen nga lufta që ka pushtuar qartë imagjinatën e atyre që po kërkojnë një konfrontim të hapur me Rusinë. Nevojitet diçka si një lëvizje e re e vendeve jo aletae, jo në kuptimin që vendet duhet të jenë neutrale në luftën e vazhdueshme, por në kuptimin që ne duhet të vëmë në dyshim të gjithë nocionin e “përplasjes së qytetërimeve”.

Sipas Samuel Huntington, i cili shpiku termin, skena për një përplasje qytetërimesh u ngrit në fund të Luftës së Ftohtë, kur “perdja e hekurt e ideologjisë” u zëvendësua nga “perdja e kadifes së kulturës”. Në pamje të parë, ky vizion i errët mund të duket se është krejt e kundërta e tezës së fundit të historisë, e ngritur nga Francis Fukuyama në përgjigje të rënies së komunizmit në Evropë. Çfarë mund të ishte më ndryshe nga ideja pseudo-Hegeliane e Fukuyama-s se rendi më i mirë i mundshëm shoqëror që mund të krijonte njerëzimi, më në fund ishte zbuluar se ishte demokracia kapitaliste liberale?

Tani mund të shohim se të dy vizionet janë plotësisht të pajtueshme: “përplasja e qytetërimeve” është politika që vjen në “fundin e historisë”. Konfliktet etnike dhe fetare janë forma e luftës që përshtatet me kapitalizmin global. Në një epokë “post-politike” – kur politika e duhur zëvendësohet gradualisht nga administrata sociale eksperte – të vetmet burime legjitime të konfliktit të mbetura janë kulturore (etnike, fetare). Rritja e dhunës “irracionale” vjen nga depolitizimi i shoqërive tona.

Brenda këtij horizonti të kufizuar, është e vërtetë se alternativa e vetme e luftës është një bashkëjetesë paqësore e qytetërimeve (të “të vërtetave” të ndryshme, siç e shprehu Dugin, ose, për të përdorur një term më popullor sot, të “mënyrave të ndryshme të jetesës”). . Implikimi është se martesat e detyruara, homofobia ose përdhunimi i grave që guxojnë të dalin vetëm në publik janë të tolerueshme nëse ndodhin në një vend tjetër, për sa kohë që ai vend është plotësisht i integruar në tregun global.

Lëvizja e re e vendeve jo aleate duhet të zgjerojë horizontin duke pranuar se lufta jonë duhet të jetë globale – dhe duke parandaluar me çdo kusht rusofobinë. Ne duhet të ofrojmë mbështetjen tonë për ata brenda Rusisë që po protestojnë kundër pushtimit. Ata nuk janë një grup abstrakt internacionalistësh, por janë patriotët e vërtetë rusë – njerëzit që e duan me të vërtetë vendin e tyre dhe u vjen turp nga ai që nga 24 shkurti. Nuk ka thënie moralisht më të neveritshme dhe më të rrezikshme politikisht sesa: “Vendi im, i drejtë apo i gabuar”. Fatkeqësisht, viktima e parë e luftës në Ukrainë ka qenë universaliteti.