Disfata me Izraelin, legjenda e futbollit shqiptar: Humbjet dhembin, por ky grup do të na bëjë krenar

Shqipëria e Edy Rejës doli e mposhtur nga transferta e Izraelit, me këtë të fundit që fituan me shifrat 2-1.

Një humbje që dhemb sigurisht pasi tashmë kuqezinjtë do të luajnë ndaj Islandës për t’u pozicionuar në vendin e dytë, në një grup me 3 skuadra, pasi Rusia u përjashtua nga UEFA.

Zhgënjimi është i dukshëm tek çdo tifoz, por megjithatë ish-legjenda e Dinamos, Sulejman Demollari ka kërkuar t’i mbështesim djemtë tanë në një moment delikat, pasi ky grup do na bëjë krenarë së shpejti.

“Humbjet janë gjithmonë të vështira për t’u përtypur, akoma më shumë kur ndodhin në ndeshje të rëndësishme. Por futbolli i tillë është dhe koha për të “qarë” atë që ka ndodhur është ndonjëherë më e dëmshme se vetë humbja. Tani kjo skuadër duhet të ringrihet, ka nevojë për mbështetje, ka nevojë për qetësi dhe jo për gjyqe popullore.

Përpara kemi ndeshje të rëndësishme, shumë shpejt afrojnë edhe eliminatoret e Kampionatit Europian 2024. Unë besoj se ky grup, këto djem, do dinë të na bëjnë krenar e të na dhurojnë gëzime të mëdha. Kanë një rrugë të madhe për të bërë përpara dhe sëbashku me mbështetjen e të gjithë ambientit futbollistik do të shkojmë larg.

Detyra jonë është vetëm një: T’i qëndrojmë pranë e t’i këshillojmë!”, ka shkruar në rrjetet sociale legjenda e kombëtares.